RTSH 24 Live

Ekonomi

Tabaku: Zhvlerësimi i euros, rezultat i pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit

27/08/2024

Tabaku: Zhvlerësimi i euros, rezultat i pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka ngritur shqetësimin për zhvlerësimin “historik”, sipas saj, të euros gjatë kësaj vere. Sipas saj, ky fenomen nuk lidhet me faktorët tradicionalë ekonomikë si turizmi apo bujqësia.

Tabaku thekson se raportet e INSTAT-it dhe Ministrisë së Financave tregojnë se i vetmi sektor me rritje ekonomike është ndërtimi, një sektor që, sipas saj, “po përfiton nga investimet e huaja direkte, të cilat në të shumtën e rasteve kanë shkuar në blerjen e pasurive të patundshme.”

“Ky zhvillim tregon për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, një fenomen që nuk reflekton interesat e qytetarëve të ndershëm dhe nuk kontribuon në zhvillimin e ekonomisë reale. Prodhuesit shqiptarë dhe fermerët po ndëshkohen, pasi zhvlerësimi i euros i ka bërë produktet shqiptare më të shtrenjta jashtë vendit, duke i dalë kështu jashtë funksioni tregut të brendshëm.”, thekson Tabaku.

Sipas saj, prodhimi sot është duke u penalizuar, pasi produktet shqiptare të fermës dhe bujqësisë janë duke u penalizuar pasi shiten jashtë më shtrenjtë dhe praktikisht ka nxjerrë çdo gjë jashtë funksioni në tregun e brendshëm.

“Ekonomia shqiptare vetëm si rezultat i kësaj po mbështetet tek importi dhe produktet e importeve”, shton ajo.

Deputetja e PD-së kërkon një model ekonomik të ri, që shpërndan pasurinë në të gjitha nivelet dhe nuk mbështetet vetëm në sektorin e ndërtimit, që sipas saj është bërë qendër e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

“Ne duhet të sjellim një model ekonomik i cili e shpërndan pasurinë në të gjitha nivelet ndërkohë kjo që po ndodh është e fokusuar tek pastrimi parave dhe korrupsioni. Asnjë vlerë për qytetarët dhe asnjë vlerë për bizneset e ndershme”, nënvizon Tabaku.

/rtsh.al/