RTSH 24 Live

Ekonomi

Financat vendore- Ministri Malaj dhe Ambasadorja e Zvicrës marrëveshje bashkëpunimi

13/09/2024

Financat vendore- Ministri Malaj dhe Ambasadorja e Zvicrës marrëveshje bashkëpunimi

Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, nënshkruan marrëveshjen për mbështetje të mëtejshme teknike në sistemin e financave vendore në vendin tonë.

Marrëveshja mbështetet fazën e dytë të projektit për “Ofrimin e asistencës teknike për Forcimin e Menaxhimit të Financave Publike në Nivel Vendor në Shqipëri” dhe parashikon një fond prej 4.5 milionë euro periudhën 2024-2028, në funksion të vazhdimit të zbatimit të projektit në fjalë.

Ministri Malaj e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjes si një hap përpara në avancimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe me Qeverinë e Konfederatës Zvicerane.

Malaj shprehu bindjen zbatimi i saj do të ndihmojë qeverinë shqiptare për të vijuar garantimin e:  rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore; reformimit të buxhetit vendor, duke e bërë më eficient dhe transparent; si dhe kontrollit më të mirë të auditimit dhe raportimit financiar.

Ministri i Financave nënvizoi faktin se aktualisht bashkitë janë më të mirë strukturuara edhe sa i takon shpenzimeve, pasi pjesa më e madhe shkojnë për shërbime dhe investime publike, ndërsa qeveria ka rritur së fundmi pagat për administratën vendore, si një angazhim për një reformim akoma më të gjerë.

 “Kontributi i partnerëve tanë është i rëndësishëm për ne, për më tepër sa i takon zbatimit të një reforme madhore siç është ajo e decentralizimit dhe fuqizimit të qeverisjes vendore, një prioritet i yni, pasi përmes tij garantojmë përmirësimin e shërbimeve dhe jetës së qytetarëve”, u shpreh Malaj.

Faza e parë e zbatimit të projektit ka mbështetur bashkitë në disa aspekte, ndërsa faza e dytë ka si objektiva kryesorë: përmirësimin e planifikimit strategjik dhe menaxhimit të përgjithshëm; fuqizimin e sistemeve të menaxhimit të të ardhurave vendore, me qëllim rritjen e tyre dhe kontributi për rritjen e të ardhurave të veta në bashki;  ngritjen e sistemeve të efektshme për auditimin dhe raportimin financiar.

Këto objektiva, tha Ministri, janë plotësisht në përputhje me prioritet e qeverisë për modernizimin e financave publike në nivel vendor dhe për rritjen e konsolidimin e autonomisë financiare.

Nga ana e saj, Ambasadorja zvicerane Ruth Huber theksoi se marrëveshja e firmosur formalizon vazhdimin e punës së përbashkët për rritjen e cilësisë së financave publike.

Synimi është përmirësimi i menaxhimit të financave publike, përdorimi e burimeve publike më me efiçencë, dhe përfundimisht, dhënia e shërbimeve më të mira për komunitetet vendore”, u shpreh Ambasadorja Huber. 

Projekti për financat vendore mbështet 61 bashkitë në rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e financave të cilat njihen me instrumente dhe metoda më efikase në këtë drejtim. Gjithashtu, projekti punon me Ministrinë e Financave, Departamentin për Financat Vendore dhe drejtori të tjera, për të siguruar një koordinim dhe monitorim më të mirë të financave vendore. Financimi për projektin vjen nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështjet Ekonomike SECO dhe zbatohet nga Universiteti i Lucernës dhe GFA Consulting Group.

/rtsh.al/