RTSH 24 Live

Politikë

Karta e Adriatikut - Vengu: Disa vende po lejojnë palët e treta për destabilitet në rajon. Gjenerali amerikan: Duhet dialog

18/09/2024

Karta e Adriatikut - Vengu: Disa vende po lejojnë palët e treta për destabilitet në rajon. Gjenerali amerikan: Duhet dialog

Rritja e bashkëpunimit mes aleatëve, çuarja përpara e vlerave të NATO-s  dhe përgjigjja ndaj kërcënimeve hibride që synojnë destabilitetin e rajonit të Ballkanit ishte në fokus të Konferencës së 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A-5).

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe gjenerali amerikan Kristofer Kavoli (Christopher G. Cavoli), i cili theksi se këto takime duhet të shërbejnë për më shumë dialog mes vendeve, në një kohë kur kërcënimi në Evropë është më afër se kurrë pas luftës që Rusia ka nisur në Ukrainë.

“Kjo konferencë është një organizmi shumë i mirë për dialog dhe të përqendrohemi në këtë pjesë kritike të Evropës dhe për të çuar para vlerat e NATO-s. Sot kjo është më e rëndësishme se kurrë. Kjo konferencë është një themel dhe një punë për një të ardhme me prosperitet. Bashkëpunimi mes nesh mbështet këtë synim të përbashkët”, tha gjenerali amerikan i NATO-s.

Edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri thirrje për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në rajonin e Ballkanit, ndërsa theksoi se ka vende që hiqen në deklarata si përkrahëse të vlerave perëndimore, pro në realitet mbështesin luftën hibride të Lindjes duke krijuar destabilitet.

“Peizazhi gjeopolitik ka ndryshuar dhe kërcënimet kanë ndryshuar si kërcënimet ruse në Ukrainë, por edhe kërcënimet hibride, kibernetike, terrorizimi etj. Duke forcuar bashkëveprimin tonë ne rrisim jo vetëm kapacitete mbrojtëse por edhe vendet tona të përgjigjen me shpejtësi dhe efikasitet ndaj çdo kërcënimi. Lidhjet që na bashkojnë nuk janë vetëm ushtarake por edhe vlerat e lirisë, paqes, të drejtat e njeriut dhe prosperiteti për të gjithë popujt tanë. Në këtë kuptim është e domosdoshme të avancojmë këto parime dhe nuk duhet të shkojmë në regres. Kemi në fokus fqinjësinë e mirë dhe integrimin e plotë euroatlantik të gjithë pjesëmarrësve. Nuk duhet të bien pre e ndërhyrjeve dashakeqe që mund të na përçajnë që vijnë nga palë të treta dhe që në këndvështrimin e Shqipërisë ndërmarrin veprim dezinformuese dhe ndaj të cilave nuk duhet të biem pre dhe duhet t’i përgjigjemi në një formë të përbashkët. Nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës. Duhen të tejkalojmë konflikte kulturore dhe politike që kanë qenë burim konfliktesh në të shkuarën dhe të nxjerrim mësime. Shpesh dëgjojmë zëra përçarës, partnerë të vlerave perëndimore në deklarata por ithtarë dhe shërbëtorë të dukshëm të luftërave hibride të Lindjes në realitet dhe në praktikë. Këto zëra nxisin grupet ultranacionaliste dhe kriminale dhe vendosin në pikëpyetje stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, tha Vengu.

Ministri Vengu theksoi se Shqipëria mbetet avokate e bashkëpunimit të mirë në rajon, ndërsa bëri thirrje që Kosova duhet të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut.

“Shqipëria do jetë avokate e bashkëpunimit rajonal. Karta duhet të qëndrojë besnike e politikës së dyerve të hapura dhe Kosova duhet të jetë në këtë tavoline dhe e ka vendin këtu. Theksoj rëndësinë e angazhimit me aleatët tanë dhe të bashkëpunojmë së bashku. NATO dhe BE qëndrojnë si forca të pakrahasueshme që rrisin cilësinë dhe forcën tonë në të ardhmen dhe vigjilenca e SHBA është e pazëvendësueshme dhe pa ta ky rajon nuk do ishte ky që është sot”, tha Vengu.

/rtsh.al/