RTSH 24 Live

Ekonomi

Udhëheqin pagat në sektorin publik, fermerët më pak të paguarit në tremujorin e dytë

13/09/2024

Udhëheqin pagat në sektorin publik, fermerët më pak të paguarit në tremujorin e dytë

INSTAT ka publikuar statistikat e pagave për tremujorin e dytë të vitit 2024.

Paga mesatare bruto në vend ka prekur nivelin e 75.114 lekë, duke u rritur me 5,9% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Tregues është influencuar më së shumti nga sektorët si aktivitetet financiare dhe të sigurimit, dhe informacioni dhe komunikacioni, çka flet për një reflektim të ndryshëm të sektorëve të ekonomisë.

"Kuptohet që disa sektorë të ekonomisë të tregut të punës dhe të ekonomisë në përgjithësi kanë reflektuar për sa i përket rritjes së nivelit të pagave për punonjësit e tyre," shprehet eksperti Erion Muça.

Për z. Muça, diferencat mes treguesve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë vijnë edhe si rezultat i prezencës së informalitetit.

Vitet e fundit po krijohet edhe një diferencë mes sektorit publik dhe atij privat. 

"Në sektorin publik mes disa hapave të njëpasnjëshëm të rritjes së pagave sipas sektorëve tanimë bën që diferencat të duket edhe më qartë. Është një diferencë që i atribuohet nëndeklarimit të pagave apo deklarimit jo të plotë në sektorin privat," tregon z. Muça.

Sipas të dhënave paga mesatare bruto në bujqësi dhe peshkim gjendet në nivelin 50.134 lekë, shumë poshtë nivelit mesatar, ndërkohë që profesionet më të kërkuara dhe të paguara në tregun e punës janë menaxherët e kompanive, ligjvënësit dhe nëpunësit e lartë të administratës shtetërore.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/