RTSH 24 Live

Kosovë

Sulmi në Banjskë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngre akuza ndaj 45 personave

11/09/2024

Sulmi në Banjskë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngre akuza ndaj 45 personave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur sot se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave - në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq - për sulmin e armatosur në Banjskë vitin e kaluar.

Prokurori i kësaj çështje Naim Abazi deklaroi se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal, “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.

Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi në një konferencë për media.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit - pjesa veriore e Kosovës - një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas në përleshjet e armatosura u vranë edhe tre terroristë serbë. Nga ana e tij, prokurori Abazi nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të Serbisë në sulm - gjë që, më herët, është theksuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, por Beogradi e ka mohuar përgjegjësinë. Ndërsa 5 ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.

Kush është Radoiçiq?

Millan Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai dha dorëheqje nga kjo pozitë pak ditë pas sulmit në Banjskë.

Prej vitesh, Radoiçiq është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit e cilëson atë si kriminel që duhet të mbahet përgjegjës për sulmin e kryer në Banjskë.

/rtsh.al/