RTSH 24 Live

Rajon

Dështon takimi në Bruksel, Bislimi e Petkoviq nuk bien dakord për temat e negociatave

17/09/2024

Dështon takimi në Bruksel, Bislimi e Petkoviq nuk bien dakord për temat e negociatave

Kanë përfunduar takimet e ndara të kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel. Pala evropiane nuk ia doli që t`i bindë ata për një takim të përbashkët.

Fakti që nuk do të ketë takim trepalësh, është konfirmuar nga Besnik Bislimi, i cili dy herë është takuar me Lajçakun gjatë ditës.

"Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se temat shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare", tha Bislimi.

Sipas tij, ftesa e Lajçakut ka qenë shumë e qartë se do të ketë së pari takim bilateral, si dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral.

“Derisa në takimin trilateral është thënë se do të diskutohet rruga për ecur përpara me marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë dhe e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral. Por, Serbia ka refuzuar të hyjë në takim me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj për konsum politik, e për çka ne nuk kemi qenë dakord”, tha Bislimi.

Sa i përket takimit dypalësh me Lajçakun, kryenegociatori kosovar tha se temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023.

“Kemi folur edhe për atë se deri ku kemi mbërritur me disa marrëveshje të tjera dhe ku kemi hasur  probleme", shtoi ai.

Ai tha se është biseduar edhe për Telekomunikacionin, pasi kohë më parë është njoftuar Brukseli për shkeljet që po i bën Serbia duke interferuar në frekuenca brenda territorit të Kosovës, por edhe për problemet që ka rregullatori kosovar me ITU-në.

Por, kryenegociatori serb Petkoviq e akuzoi Bislimin se nuk pranoi të takohet me përfaqësuesit e Beogradit për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë Serbe.

"Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyçe siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Një çështje kyçe është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë," tha Petkoviq.

Ai konfirmoi se i ka dorëzuar të Lajçakut një listë të serbëve të arrestuar të cilët, sipas Petkoviqit, janë "të burgosur politikë".

Kryenegocitorët kanë zhvilluar takime të ndara me Lajçakun

Kryenegocitorët nga Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar takime të ndara me emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

Është ky një nga tentimet e palës evropiane që të organizojë një raund dialogu në nivel te kryenegociatorëve, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do të vije deri tek takimi i përbashkët.

Një zyrtar evropian i informuar lidhur me takimet ne fjalë kë thënë se është vështirë të parashihet nëse do të ketë takim të përbashkët dhe se gjithçka do të varet nga atmosfera që do të dominojë gjatë bisedave të ndara.

Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës ka përfunduar tashmë takimin e ndarë më Lajçakun i cili kishte filluar në orën 9 dhe ka zgjatur gati 2 orë. Një takim të ngjashëm, me pas e ka zhvilluar edhe homologu i Bislimit nga Beogradi, Petar Petkoviq, kryenegociatori serb.

Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në raundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Paqartësitë lidhur me mbajtjen e takimit të përbashkët nisën qysh të premten që shkoi, kur kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi nëpërmjet rrjeteve sociale konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për mbajtjen e takimit trepalësh, por se Serbia e ka refuzuar agjendën e ndërmjetësit.

Se kishte keqkuptime rreth agjendës, këtë e kanë konfirmuar disa burime në Bashkimin Evropian. Por këta zyrtarë shpjeguan se të dyja palët janë përgjegjëse për dështimin eventual të mbajtjes së takimit trepalësh. Gjithnjë sipas këtyre burimeve të dyja palët u përpoqën të diktojnë agjendën e takimit trepalësh dhe nuk ranë dakord me kërkesat e ndërsjella, teksa kanë injoruar propozimin origjinal të palës evropiane.

/rtsh.al/