RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova thirrje faktorit ndërkombëtar, ministrja Haxhiu kërkon t’i bëhet presion Serbisë për të dorëzuar Radojçiç

16/09/2024

Kosova thirrje faktorit ndërkombëtar, ministrja Haxhiu kërkon t’i bëhet presion Serbisë për të dorëzuar Radojçiç

Pas ngritjes së aktakuzave për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë , ku mbeti i vrarë një punonjës i Policisë së Kosovës, janë shtuar zërat në Prishtinë që i bëjnë thirrje faktorit ndërkombëtar t’i kërkojnë Serbisë të dorëzojë organizatorët e sulmit.

“ I vetmi autoritet që ka përgjegjësi dhe kompetencë për të hetuar dhe gjykuar atë sulm është Republika e Kosovës. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’i bëhet presion Serbisë që të dorëzojë kriminelët dhe  terroristët, ndërsa nga ana tjetër gjithçka që varet nga ne do ta adresojmë në kohë reale”, tha ministrja e Drejtësisë Albulena  Haxhiu gjatë një interviste për mediat vendase. Ajo theksoi se në vend të Kosovës, partnerët ndërkombëtarë duhet të dënonin dhe sanksiononin Serbinë për sulmin në Banjskë, duke shtuar se prapa tij qëndronte Beogradi me armatim, trajnim dhe financim.

E pyetur nëse mund të ketë një sulm të ngjashëm, Haxhiu tha se nga Serbia mund të pritet gjithçka.  “Duke pasur parasysh pretendimet territoriale që Serbia ka ndaj vendit tonë dhe nxitjet ndaj grupeve kriminale, nga ai vend pritet gjithçka.

Ne dhe institucionet tona të sigurisë jemi vigjilentë.” – deklaroi ajo. Ministrja e Drejtësisë theksoi se është shumë e rëndësishme që organizatori i sulmit të Banjskës, Milan Radojiçiç bashkë me grupin e tij të dalin para përgjegjësisë.

Javën e kaluar, Prokuroria Speciale në Kosovë ngriti aktakuzë për 45 persona, me në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe. Akuzat përfshijnë vepra terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë.

/RTSH/