RTSH 24 Live

Kosovë

Osmani: Deklaratat e Vuçiç-it janë të parëndësishme për Kosovën

17/09/2024

Osmani: Deklaratat e Vuçiç-it janë të parëndësishme për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas aktivititeti pwr lansimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se kërkesat dhe masat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, s’kanë asnjë rëndësi për Kosovën dhe se qëllimi i tij është destabilizimi i rajonit.

“Kërkesat e një presidenti të një shteti tjetër të cilat nuk bëhen në mirëbesim dhe nuk e kanë asnjëherë në prioritet interesin e qytetarëve por vetëm interesat destabilizuese të Serbisë, nuk kanë asnjë rëndësi për Kosovën”, ka deklaruar Osmani,

Teksa shtoi se asnjë fjalë e presidentit serb nuk merret seriozisht.

“Nuk duhet asnjë fjalë e tij të merret seriozisht, por ne duhet të punojmë maksimalisht për vendin tonë. Njëkohësisht që të punojmë me ndërkombëtarët për hapat para dhe jo mbrapa. Qëllimi i tij ka qenë sa për t’u vënë hi syve përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve të tjerë, por në fakt Vuçiçi  kur e thotë këtë nuk e mendon dhe as nuk e dëshiron”, deklaroi Osmani.

E para e shtetit ka thënë me bindje se Vuçiç, s’është i interesuar që të realizohen ato që ai i paraqiti si kërkesa sepse sipas saj ai nuk është i interesuar në rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Jam e bindur që kur Vuçiçi flet për rikthimin e serbëve në polici në gjyqësi, ai në fakt po i prezanton këto vetëm si fjalë edhe vetëm si retorikë për ta tërhequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë që janë përpjekjet e tij, të qeverisë së tij, ushtrisë së tij në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë për qëllim vetëm dhunën”.

“Nuk e besoj që Vuçiçi është i interesuar që serbët të kthehen në institucione”.

Më 13 shtator, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar për pesë lëvizje të reja që ai dhe shteti i Serbisë do t’i ndërmarrin në raport me Kosovën, në një seancë të jashtëzakonshme të paralajmëruar 72 orë më parë, derisa tha se sa i përket politikës së shpalljes “pjesë e okupuar Kosovën”, nuk kanë marrë vendim akoma, meqë “ekspertët juridikë ishin kundër”.

Në fjalimin e tij të shoqëruar edhe me disa pamje të shfaqura në monitor me pikat kryesore, ai tha se lëvizjet e reja janë: “Status Quo-ja”, “Kosova zonë e mbrojtjes së veçantë”, pastaj “rezistencë e institucioneve serbe ndaj Kosovës”, “krijimi i një prokurorie speciale” dhe “vendim për paligjshmërinë e të gjitha organeve dhe institucioneve arsimore në territorin e Kosovës pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë dhe mosekzistencës së të gjitha akteve të tyre që janë miratuar ose do të miratohen”.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se sulmi nuk është opsion, meqë ishte vetë Serbia që humbi më shumë se kushdo tjetër në luftërat në ish-Jugosllavi.

 

/rtsh.al/