RTSH 24 Live

Politikë

Spiropali takon të rinj të besimeve fetare: Vëllazërimi, përgjigjja më e mirë ndaj konflikteve

17/09/2024

Spiropali takon të rinj të besimeve fetare: Vëllazërimi, përgjigjja më e mirë ndaj konflikteve

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka zhvilluar të martën një takim me vajza dhe djem të besimeve të ndryshme fetare, nga vendet e Detit Mesdhe dhe Detit të Zi, në kuadrin e nismës MED 24 dhe porosisë së Papa Françeskut, vitin e shkuar.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryeipeshkvi i Metropolit, Imzot Arjan Dodaj, si dhe Atë Alexis Leproux. Në fjalën e saj, Spiropali theksoi rolin e Shqipërisë si shembull i harmonisë, mirëkuptimit e tolerancës fetare dhe promotore e paqes.

“U lumturova sot në mëngjes kur ndoqa videomesazhin e Papa Franceskut drejtuar këtij takimi, i cili, siç nënvizoi Ati i Shenjtë, “Zhvillohet 10 vjet pas udhëtimit tim të paharrueshëm në Shqipëri. Ju, të rinjtë e pesë brigjeve të Mesdheut, jeni brezi i ri dhe aveniri i rajonit të Mesdheut. Vëllazërimi mes pesë brigjeve të Mesdheut është përgjigja më e mirë që ne mund t’u japim konflikteve e indiferencave vrasëse. Përpiquni bashkarisht të kapni sinjalet e kohës”, tha Spiropali.

Kryeparlamentarja Spiropali theksoi se toleranca fetare e njohur e shqiptarëve ka kontribuar që edhe besimet fetare të bëhen pjesë e jetës shpirtërore e shoqërore dhe komunitetet fetare të shkëmbejnë vlerat e tyre më të arrira duke u bërë shembull edhe për politikanët.

“Fjala e urtë “Kisha jote është edhe kisha ime” në Shqipëri, është jetërsuar në sentencat “Xhamia jote është dhe imja. Teqeja jote është dhe imja”. Mirëkuptimi dhe toleranca fetare janë jo vetëm një pasuri e jetës së shqiptarëve, por edhe një referencë dhe mësim i madh për të gjithë ne. Sidomos për ne politikanët. Ne duhet të mësojmë nga toleranca dhe mirëkuptimi fetar. Jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo në vendet tuaja. Zhvillimi, demokracia, paqja, mirëkuptimi e siguria nuk janë as dhuratë, as të mirëqena dhe as të garantuara. Ato kërkojnë kontributin e të gjithëve, por në radhë të parë të rinisë”., tha Spiropali.

Pas fjalëve përshëndetëse, kryetarja Elisa Spiropali, Imzot Arjan Dodaj dhe Atë Alexis Leproux vijuan me një bashkëbisedim me vajzat e djemtë pjesëmarrës. Ky takim që u zhvillua në Kuvend, u përshëndet me një video mesazh edhe nga Papa Françesku herët në mëngjes.

/rtsh.al/