RTSH 24 Live

Politikë

Shefat e Mbrojtjes së Iniciativës së SHBA: Integrim në NATO i të gjitha vendeve të Evropës Juglindore

24 orë para

Shefat e Mbrojtjes së Iniciativës së SHBA: Integrim në NATO i të gjitha vendeve të Evropës Juglindore

Në përfundim të punimeve të Konferencës së 27-të, Shefat e Mbrojtjes së Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A5) miratuan një Deklaratë të Përbashkët, ku riafirmuan angazhimin për të qëndruar së bashku kundër luftës së paligjshme, të pajustifikueshme dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Kjo luftë, sipas njoftimit për shtyp, ka shkatërruar paqen dhe stabilitetin në zonën euroatlantike dhe ka dëmtuar rëndë sigurinë në rajonin e Ballkanit dhe globalisht.

“Ne dënojmë, në termat më të fortë, shkeljen e dukshme të Kartës së Kombeve të Bashkuara nga Rusia dhe ndikimin e luftës së Rusisë në pjesën tjetër të botës. Ne përshëndesim popullin ukrainas për rezistencën e tij të guximshme dhe shprehim simpatinë dhe ngushëllimet tona për humbjen dhe vuajtjen e tyre”, - thuhet në deklaratën e përbashkët të Përfaqësuesve të lartë ushtarakë të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut, ku bëjnë pjesë: Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, me pjesëmarrjen e komandantit të Komandës Evropiane të SHBA-së, njëherësh komandant i Forcave Amerikane në Evropë, gjeneral Christopher G. Cavoli.

Në solidaritet të plotë me popullin e Ukrainës, vendet riafirmojnë synimin për të vijuar mbështetjen në këtë luftë. 

“Ne jemi të përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që mbështet parimet e Kartës së OKB-së, në veçanti sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë. Mbështetja kolektive për Ukrainën konfirmon mirëkuptimin tonë të ndërsjellë se bashkëpunimi me aleatët dhe partnerët është jetik për aftësinë tonë kolektive për t'iu përgjigjur sfidave aktuale dhe të ardhshme”, - thuhet në deklaratën e përbashkët.

Sipas deklaratës së përbashkët, “Ballkani Perëndimor mbetet subjekt i ndikimeve malinje, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë. Në këtë drejtim, vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe gjithë përfshirja janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të përparojmë drejt këtij qëllimi.”

“Ne ripohojmë përkushtimin tonë ndaj parimeve të SHBA-Karta e Adriatikut, duke pranuar se integrimi në NATO i të gjitha vendeve aspirante në Evropën Juglindore është një nga qëllimet kryesore të Iniciativës. Në këtë kuptim, ne mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe mbështesim aspiratat e vendeve aspirante të mbetura nga Evropa Juglindore drejt anëtarësimit në NATO, duke respektuar nevojën për dialog të brendshëm", - theksohet në deklaratë.

/rtsh.al/