Shqipëria ka ngrirë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, të ciline akuzon se fshihet pas sulmit kibernetike që përfshiu shërbimet publike online në vend. Shqipëria i ka dërguar notë verbale ambasadës së Iranit, ndërsa vendimi është marrën ditën e sotme në mbledhjen e qeverisë.
Për ngjarjen, kryeministri Edi Rama tha se qeveria i ka kërkuar ambasadës së Iranit largimin brenda 24 orëve nga Shqipëria.
“Nisur nga sa më lart Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshirë edhe personelin e sigurisë. Kjo mase ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion te plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend. Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjeshtë prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t'i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur”, tha Rama.
Rama tha se Irani kishte angazhuar 4 grupe për sulmin ndaj Shqipërisë, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.
"Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron. Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë", tha Rama.
Gjatë muajit korrik shërbimet publike online të AKSHI-t u ndërprenë pas një sulmi kibernetike, më i madhi që Shqipëria kishte përjetuar ndonjëherë. U deshën disa javë për rikthimin e shërbimeve në punë, ndërsa qeveria garantoi se të gjitha të dhënat e qytetarëve ishin ruajtur dhe nuk ishin cenuar.
Shërbimet publike online në vend ranë pre e një sulmi kibernetik më 15 korrik, ku përgjegjësinë për këtë e mori grupi “Homeland Justice” pro-iranianë. Hackerat kishin si qëllim të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian të muxhahedinëve në Shqipëri, të cilët do të zhvillonin një konferencë më 23 dhe 24 korrik, por që u anulua për shkak të kërcënimeve për sulme terroriste. Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp dhe mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë.
/rtsh.al/