RTSH 24 Live

Politikë

Rama: I befasuar nga opozita greke. Vizita ime në Greqi nuk ka lidhje me politikën helene, as me zgjedhjet e PE-së

08/05/2024

Rama: I befasuar nga opozita greke. Vizita ime në Greqi nuk ka lidhje me politikën helene, as me zgjedhjet e PE-së

Kryeministri, Edi Rama sqaroi të mërkurën se  vizita e tij në Athinë të dielën, (12 maj), nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, as me zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo me ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë.

Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se për të është mjaft befasuese të dëgjojë deklaratat e opozitës greke, ndërkohë që nënvizon se “mund ta kuptoj plotësisht perspektivën e përcjellë nga kryeministri grek”.

“Kontrasti i fortë në pikëpamjet për të njëjtën çështje hedh dritë mbi arsyen pse disa janë në opozitë, ndërsa të tjerëve u është besuar qeverisja nga populli. Megjithatë, siç theksoi me të drejtë kryeministri Mitsotakis, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t'i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku ata jetojnë, por edhe në atdheun e tyre.”, shkruan Rama.

Sipas tij, vizita në Athinë më 12 maj nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të politikës greke dhe as me zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi. Rama thekson se asgjë që nuk është në agjendën e qeverisë shqiptare nuk mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë.

“Kjo vizitë është pjesë e një serie vizitash të planifikuar prej kohësh në disa vende evropiane, përfshirë Athinën, për t'u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe për të ndarë krenarinë e Shqipërisë për ta dhe Vision Albania 2030. Kjo ka të bëjë me vizitën time në fqinjin mik Greqinë. Pjesa tjetër është thjesht zhurmë e sfondit.”, shkruan Rama.

SYRIZA: Vizita e Ramës është provokim

Partia opozitare SYRIZA, nëpërmjet një deklarate për shtyp, e quajti provokim vizitën e Ramës në Athinë, pasi, sipas saj, përkon me 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit.

SYRIZA akuzon Mitsotakis se po e përdor pakicën greke si mjet për përfitime të vogla partiake dhe se politika e jashtme e kryeministrit grek është e rrezikshme për interesat kombëtare të Greqisë.

“Vizita e paralajmëruar e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Greqi, në datën e përvjetorit të paraburgimit të Fredi Belerit, është një veprim provokues, i cili nxjerr në pah mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor nga Qeveria e Mitsotakis. Ajo nënvizon zgjedhjet e tij komunikuese të deritanishme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe, nuk nxjerrin në pah realisht çështjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe nuk mbrojnë efektivisht të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Të drejtat që rrjedhin si nga e drejta ndërkombëtare ashtu edhe nga ajo komunitare, veçanërisht duke pasur parasysh perspektivën evropiane të vendit. Qeveria Mitsotakis, siç u pa edhe në periudhën parazgjedhore, e trajton pakicën etnike greke si mjet për përfitime të vogla partiake. Edhe një herë në pak orë, vërtetohet se sa e rrezikshme është politika e jashtme e Mitsotakis për interesat kombëtare”.

Mitsotakis: Nuk e pengojmë tubimin e Ramës, as e ndihmojmë

Ndërsa kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis duke komentuar mbi takimin që pritet të mbajë kryeministri Rama më 12 maj me emigrantët shqiptarë në Athinë, në një intervistë të dhënë për mediat greke, tha se Rama nuk është i ftuari i qeverisë greke, duke shtuar se ky takim është një zgjedhje e tij dhe se qeveria nuk do ta  pengojë ta zhvillojë këtë takim.

“Është e drejtë e tij. Është një zgjedhje që më duket e panevojshme. Ne kemi probleme në  marrëdhëniet greko-shqiptare. Por nuk e pengojmë tubimin e Ramës, as e ndihmojmë”, ka nënvizuar Mitsotakis, duke shtuar se “çështja e ndalimit të Fredi Belerit është evropiane, jo dypalëshe”.

/rtsh.al/