RTSH 24 Live

Aktualitet

Mbyllen përkohësisht shërbimet publike online e faqet qeveritare, AKSHI: Sulm kibernetik jashtë Shqipërisë

17/07/2022

Mbyllen përkohësisht shërbimet publike online e faqet qeveritare, AKSHI: Sulm kibernetik jashtë Shqipërisë

Shërbimet publike online dhe faqet e tjera qeveritare janë mbyllur përkohësisht, si pasojë e një sulmi kibernetik. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka bërë me dije këtë të diel se bëhet fjalë për një sulm kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Për pasojë, sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e këtyre sulmeve.

AKSHI informon se është në gatishmëri të plotë dhe se po punon me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kibernetik të dëmtojë apo cenojë sistemet shqiptare të informacionit.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i bën me dije qytetarëve shqiptarë se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare për shkak se po përballemi me një sulm kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Për t’u bërë ballë këtyre goditjeve të paprecedenta dhe të rrezikshme, jemi detyruar të mbyllim sistemet qeveritare deri në neutralizimin e sulmeve armike. Ftojmë qytetarët, mediat, bizneset dhe gjithë aktorët e tjerë të sensibilizohen për të thyer këtë sulm ndaj interesave kombëtare shqiptare dhe të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mos aksesimit të shërbimeve publike. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është në gatishmëri të plotë dhe po punon gjatë të gjithë kohë me ekipin e Microsoft, ekipin e Jones Group International, dhe ekipet e kompanive shqiptare në fushën TIK për të mos lejuar që ky sulm kinerbetik të dëmtojë apo cenojë sistemet shqiptare të informacionit”, njofton AKSHI.

/rtsh.al/