RTSH 24 Live

Politikë

SPAK urdhëron Bardhin të paraqitet para BKH-së, Rama: Mundësi që të ndahet e vërteta nga shpifja

08/05/2024

SPAK urdhëron Bardhin të paraqitet para BKH-së, Rama: Mundësi që të ndahet e vërteta nga shpifja

SPAK urdhëron deputetin e PD-së, Gazment Bardhi që të paraqitet para Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si person që ka dijeni lidhur me akuzat që ai ka bërë në adresë të Olsi Ramës, si të përfshirë në trafik droge lidhur me ngjarjen e disa viteve në Xibrakë.

Vendimi për të urdhëruar deputetin Bardhi që të paraqitet në SPAK vjen pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda, Tiranë.

"Në bazë të nenit 312 të K.Pr.Penale, për nevoja të procedimit penal Nr. 88, të vitit 2024, urdhëroj paraqitjen në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, të Gazment Bardhit me adresë të punës "Deputet pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë", pasi është person që ka dijeni për rrethana të dobishme për hetimin. Shtetasi Gazment Bardhi të paraqitet para Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit në SPAK  në dt.15.05.2024, ditën e mërkurë, ora 10:00. (me vete të ketë dokument identifikimi), me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr.88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr.335/1, të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Për Krime të Rënda, Tiranë", thuhet në njoftim

Bardhi: SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimin e hetimeve

Pas marrjes së njoftimit nga SPAK ka reaguaer edhe deputeti i PD-së, Bardhi. Ky i fundit pretendon se përderisa është thirrur nga SPAK-u kjo tregon se ai e ka dorëzuar kallëzimin në SPAK.

“Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 - viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar. SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimin e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 - viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të mëtejshme në SPAK”,
shkruan Bardhi në rrjetet sociale.

Postimin ai e shoqëron edhe me një foto ku shihet fletëthirrja nga SPAK.

Rama: SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në platformën sociale X. Sipas tij, llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova.

“Tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull. Pra, mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallëzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallëzim të rremë, por thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori.”, shkruan Rama.

Sipas kryeministrit, o B-ja e vogël (Bardhi) ka zbuluar një trafikant droge në rrethin e tij të ngushtë familjar dhe trafikantit që duhet t’i hiqet menjëherë liria, “o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit”.

“Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme.”, mbyll postimin Rama.

/rtsh.al/