10 ditë pas stuhive më katastrofike që ka njohur Spanja në shekullin e fundit, autoritetet spanjolle raportuan 78 persona të zhdukur.
Më herët, qeveria e Valensiac, rajoni më i prekur në lindje të vendit, njoftoi 93 të zhdukur.
Numri zyrtar i të vdekurve mbetet 219. Në Valencia, deri më tani janë gjetur 211 trupa, ndërsa tetë viktima të tjera janë raportuar në rajonet fqinje të Castilla-La Mancha dhe Andaluzisë.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në Katalonjë gjatë natës nga e enjtja në të premte, përfshirë ishullin e Majorkës, një nga zonat e prekura më shumë.
Në Valencia, kërkimi vazhdon ende për personat e zhdukur, megjithëse autoritetet rajonale theksuan se 40 prej trupave të gjetur ende nuk janë identifikuar. Dyshohet se disa trupa mund të jenë derdhur në Mesdhe.
Operacioni i pastrimit është në proces të plotë, por disa nga 75 qytetet dhe fshatrat e prekura janë ende të mbuluara nga balta.
Shumë ndërtesa janë ende të paarritshme ose të vështira për t’u arritur, pasi hyrjet janë ende pjesërisht të bllokuara nga rrënojat e makinave dhe sendet shtëpiake.
/ rtsh.al /