RTSH 24 Live

Europë

Ukraina sulmohet ditën e Krishtlindjes, Zelenski: A ka gjë më çnjerëzore?

25/12/2024

Ukraina sulmohet ditën e Krishtlindjes, Zelenski: A ka gjë më çnjerëzore?

Ukraina u zgjua nga sirenat e një sulmi masiv ajror mëngjesin e Krishtlindjes, ndërsa forcat ajrore raportuan se Rusia lëshoi raketa nga Deti i Zi.

Në rajonin e Hersonit një person u vra dhe 3 të tjerë u plagosën, ndërsa në rajonin e Denipropetrovskit, autoritetet raportuan për një të vrarë dhe 17 të plagosur.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e quajti sulmin e Rusisë në Ditën e Krishtlindjes “jonjerëzor” dhe akuzoi forcat e homologut rus Vladimir Putin se kryen një sulm të gjerë për të cenuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Sipas presidentit Zelenski, nga pala ruse u lëshuan më shumë se 70 raketa, edhe raketa balistike, dhe mbi 100 dronë luftarakë. Kievi arriti të rrëzojë gati 50 prek raketave dhe një numër të madh dronësh, tha ai.

Putini zgjodhi qëllimisht Krishtlindjen për sulm. A ka gjë më çnjerëzore? Ata vazhdojnë të luftojnë për ta çuar Ukrainën në terr,” tha Zelenski.

Në fjalimin e Krishtlindjes, i treti në luftë, presidenti ukrainas theksoi se gjithçka që u duhet njerëzve është të jetojnë të qetë në tokën e tyre, të shohin diellin, qiellin e tyre dhe yllin e Krishtlindjes në të, jo dronët iranianë dhe raketat ruse.

Një ukrainas i dha botës frymën muzikore të Krishtlindjes. Çdo njeri në botë le ta kujtojë Ukrainën kur ta dëgjojë atë melodi. Ne luftojmë për simbolin kryesor të kësaj feste, për shpresën dhe jetën. Sot jo të gjithë janë në shtëpi dhe jo të gjithë e kanë një të tillë dhe fatkeqësisht jo të gjithë janë ende mes nesh,” tha Zelenski.

Ukrainasit morë pjesë në meshën Krishtlindjes duke shpresuar për një vit më të mirë.

Edhe Moska ndezi dritat festive përpara Vitit të Ri, në sfondin e simboleve të pushtimit rus në Ukrainë dhe masave të shtuara të sigurisë.

Nata e Krishtlindjes u festua edhe nga të krishterët sirianë. Ata morën pjesë në meshën e Lindjes së Krishtit në Damask, për herë të parë pas rrëzimit të presidentit Assad, ndërsa rebelët që morën pushtetin siguruan pakicat fetare dhe etnike se të drejtat e tyre do të respektohen.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/