Papa Françesku vizitoi të enjten një nga burgjet më të mëdha në Itali, duke hapur një "Derë të Shenjtë" të veçantë për Vitin e Shenjtë Katolik 2025, në atë që Vatikani tha se ishte veprimi i parë i tillë nga një papë.
Duke folur me qindra të burgosur, roje dhe personel në burgun Rebibbia në periferi të Romës, Françesku tha se donte të hapte derën, një pjesë të kishës së burgut për të treguar se “shpresa nuk zhgënjen”. Françesku i dha nisje Vitit të Shenjtë Katolik, të martën.
Një jubile katolik konsiderohet një periudhë paqeje dhe faljeje, ndërsa ky jubile, kushtuar temës së shpresës, do të zgjasë deri më 6 janar 2026. Vitet e Shenjta zakonisht ndodhin çdo 25 vjet dhe zakonisht përfshijnë hapjen në Romë të katër "Dyerve të Shenjta", të cilat simbolizojnë derën e shpëtimit për katolikët.
Dyert, të vendosura në bazilikat papale në Romë, janë të hapura vetëm gjatë viteve jubilare. Vatikani tha se hapja e "Derës së Shenjtë" në burgun Rebibia të Romës shënon herën e parë që një derë e tillë hapej nga një papë në një burg që prej nisjes së traditës së vitit jubilar nga Papa Bonifaci VIII në vitin 1300.
/rtsh.al/