RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK do të hetojë guvernatorin Sejko, GJKKO jep 3 muaj afat Prokurorisë për skandalin e mikrokredive

10/07/2024

SPAK do të hetojë guvernatorin Sejko, GJKKO jep 3 muaj afat Prokurorisë për skandalin e mikrokredive

Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK-un që të hetojë kallëzimin e bërë nga përmbaruesit kundër guvenatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në lidhje me skandalin e mikrokredive.

Gjyqtarja Flora Hajredinaj, vendosi të quajë të pavlefshëm vendimin e pushimit nga ana e Prokurorisë së Tiranës dhe ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të vijojë hetimet në lidhje me këtë kallëzim.

Gjykata i la afat 3 mujor SPAK-ut për hetimet duke caktuar datën 16 tetor për seancën paraprake.

Guvernatori është kallëzuar në vitin 2022 në Prokurorinë e Tiranës  për “shpërdorim detyre” nga Dhoma e Përmbaruesve Privatë, si autor i krijimit të skemave të mashtrimit me mikrokredi.

Kallëzimi, është hetuar për dy vjet nga kjo prokurori dhe në fund është kërkuar të pushohet në janar të këtij viti nga prokurorja Ornela Rrumbullaku.

Përmbaruesit kundërshtuan kërkesën duke renditur një numër pretendimesh për veprime që duheshin kryer nga ana e prokurorisë.

/rtsh.al/