RTSH 24 Live

Kosovë

Situata në veri të Kosovës, NATO: Institucionet në Kosovë të shtensionojnë situatën! Palët të ulen për dialog

27/05/2023

Situata në veri të Kosovës, NATO: Institucionet në Kosovë të shtensionojnë situatën! Palët të ulen për dialog

Aleanca ushtarake e NATO-s i ka bërë thirrje institucioneve në Kosovë që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të vendit. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, në një postim në Twitter kërkon që palët ta zgjidhin situatën përmes dialogut, teksa shtoi se NATO dhe KFOR mbeten vigjilentë.

I bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta zgjidhin situatën përmes dialogut. NATO dhe KFOR mbeten vigjilent dhe do të sigurojë një mjedis të sigurt”, shkruan Lungescu.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale për të nisur punën të premten (26 maj), por kjo u shoqërua me protesta të shumta nga grupe të serbëve lokalë. Të paktën pesë policë u lënduan nga përplasja me protestuesit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi këtë të shtunë, duke ftuar qytetarët, veçanërisht ata serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj të komunave. Në përgjigje të reagimeve nga partnerët ndërkombëtarë, Kurti tha  se nuk kishin zgjidhje tjetër pasi një veprim ndryshe do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj.

Ndërkohë, një ditë pas përplasjes, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.

/rtsh.al/