Siguria ushqimore është një nga elementet e rëndësishme që duhet të përmbushë Shqipëria gjatë rrugëtimit në përshtatjen e legjislacionit me Bashkimin Europian.
Ermira Gjeci, Drejtore e kabinetit të ministres së Bujqësisë, në një intervistë për RTSH, bën me dije edhe ligjet që do të miratohen për të përafruar legjislacionin.
“Për vitin 2025 ne kemi 3 ligje që janë thelbësorë në këtë kapitull dhe presim aprovimin e tyre në parlament për ligjin e shëndetit të bimëve dhe shëndetit të kafshëve. Kemi të planifikuar ligjin e kontrolleve zyrtar ë është përafrim me rregulloren e BE. Janë marre masa edhe sa i përket strukturës organizative, pasi kërkohet staf i cili do garantojë zbatimin e këtij legjislacioni. Edhe ky është në planet e 2025 të Ministrisë së Bujqësisë”, u shpreh Gjeci.
Subjekt i kontrolleve për rritjen e sigurisë ushqimore janë edhe të gjitha produktet që vijnë nga jashtë vendit.
“Edhe produktet e importit janë subjekt i kontrollit. Vërtet janë të shoqëruara me certifikatë, por janë 16 raste gjatë 2024 që i kemi raportuar”, tha Gjeci.
Ndërgjegjësimi, tregon Gjeci, është një tjetër element thelbësor që ndihmon në rritjen e sigurisë ushqimore.
“Ndërgjegjësimi është në dy drejtime, e para është ndërgjegjësimi i fermerëve. Fermerët duhet të jenë të ndërgjegjësuar në përdorimin e pesticideve apo antibiotikëve te kafshët. Edhe konsumatori duhet të raportojë në kohë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë që sa i përket sëmundjeve infektive të cilat janë prezente në Shqipëri për kafshët e shpendët, Gjeci thekson se janë marrë masat e menjëhershme duke i izoluar.
Gjeci theksoi se do të ndryshojë edhe drejtimi i inspektorateve duke kaluar nën Inspektoratin e Përgjithshëm për të rritur efikasitetin.
/RTSH/