Të hënën trupi i kryepeshkopit Anastas do të transferohet drejt Shqipërisë për të lejuar besimtarët vendas t'i japin lamtumirën hierarkut ortodoks.
Arkëmorti i tij pritet të kalojë nëpër fshatrat greqishtfolëse të vendit përmes pikës kufitare të Kakavijës, ndërsa ditën e martë janë parashikuar të mbahen nderimet për klerikun e lartë në Katedralen "Ngjallja e Krishtit".
Kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka qëndruar në Katedralen e Athinës prej ditës së shtunë (25 janar), kur 95-vjeçari ndërroi jetë pas një beteje disajavore me sëmundje të brendshme.
Mijëra besimtarë morën pjesë në shërbesën e përshpirtjes për kryepeshkopin e ndjerë gjatë këtyre orëve. Kryepeshkopi i Athinës kryesoi ceremonialin e vendosjes së një qiriri në nder të kryepriftit, i cili la gjurmë të pashlyeshme në konsolidimin e ortodoksisë në Shqipëri.
Lamtumirën ia dhanë edhe udhëheqës politikë dhe shtetërorë të Greqisë, mes tyre presidentja Katerina Sakellaropouloi, kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe kryetari i sapozgjedhur i parlamentit.
Mes atyre që nderuan ishin edhe eurodeputeti Fredi Beleri dhe atleti olimpik i peshëngritjes, Pirro Dhima, i cili deklaroi se do të vijë edhe në Shqipëri për varrimin e kryepeshkopit.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka shpallur 5 ditë zie deri më 29 janar.
Imzot Joani, mitropoliti aktual i Korçës, është caktuar si mbikëqyrës i fronit të Kryepeshkopit.
/rtsh.al/