Zgjerohen investimet në fushën e energjisë së rinovueshme. Kryeministri Edi Rama ndau të shtunën pamje nga Erseka Solar Park, një tjetër investim i rëndësishëm në fushën e energjisë së rinovueshme.
Kreu i qeverisë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, theksoi se, me një prodhim prej 50 mln kWh në vit, “Erseka Solar Park do të sigurojë energji për rreth 12 mijë familje.”
Rama nënvizoi se Erseka Solar Park ka teknologji moderne dhe miqësore me ambientin, me një impakt të rëndësishëm social – ekonomik për zonën dhe më gjerë.
“Diversifikojmë burimet e prodhimit të energjisë, duke rritur sigurinë energjetike, drejt objektivit për ta bërë Shqipërinë eksportues neto të energjisë deri në vitin 2030”, shkruan Rama.
Me mbështetjen e Ministrisë së Energjisë dhe institucioneve shtetërore, Parku u ndërtua dhe u vu në funksionim brenda një kohe të shpejtë.
Parku ka teknologji inovative: panele bifaciale dhe struktura gjurmuese.
“Investim prej 18 milionë eurosh. Shitje e energjisë në tregun e lirë ndërkombëtar. Mbi 100 banorë lokal të punësuar dhe trajnuar. Bashkia Kolonjë ka përfituar deri më sot 200 mijë euro në taksa lokale. Kjo është faza e parë e një investimi më të madh. Synimi është 100 MË kapacitet total në Kolonjë”, thuhet në videon e publikuar nga Kryeministri Rama.
/rtsh.al/