RTSH 24 Live

Ekonomi

Administrata Trump dhe ekonomia shqiptare: "Diaspora po ndihmon me investitorë"

25/01/2025

Administrata Trump dhe ekonomia shqiptare: "Diaspora po ndihmon me investitorë"

Shqipëria do të duhet të reagojë në terma më specifikë se ajo e ndërrimit të një administrate kur vjen fjala për marrëdhëniet e saj tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, tha për RTSH-në se kushtëzimi qendror vjen nga largësia gjeografike sa edhe natyra e tregut shqiptar.

"Amerika ka investuar përveçse në ekonomi nëpërmjet kompanive të njohura si Exxon, Bechtel dhe kompani të tjera investitore, që janë duke menduar hyrjen në Shqipëri, edhe nëpërmjet diplomacisë ekonomike e sidomos përmes investimit në luftën kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e të drejtave apo kushteve të punës si faktorë tregu," thotë z. Gjokutaj.

Gjatë viti 2024, Shqipëria dhe SHBA-ja shkëmbyen rreth 27.56 miliardë lekë mallra ose rreth 270 milionë euro.

Analistët e vlerësojnë këtë nivel si rekord për nga shkëmbimet tregtare krahasuar me nivelin prej 4,41 miliardë lekë të vitit 2005. Ajo që e dallon këtë situatë sipas ekspertit është forcimi i faktorit të investimit nga shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

"Emigrantët tashmë janë kthyer në një diasporë të rëndësishme, duke shërbyer si një urë komunikimi jo thjesht nëpërmjet investimeve nga kompanitë e fuqishme në Amerikë, por edhe me investimet e vetë diasporës në Shqipëri, të cilat janë materializuar me një vlerë që e vendos Amerikën në vend të katërt mes investitorëve më të mëdhenj. Pritshmëritë janë më të mëdha, pasi fushat kryesore në të cilat ata orientohen janë kryesisht infrastruktura, energjia dhe diversifikimi i burimeve," shprehet eksperti i ekonomisë.

Volumi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare i rritur gjatë 2024 kryesisht nga importe i rendit Shtetet e Bashkuara si partneri i 7-të më i madh tregtar i Shqipërisë në importe me një peshë prej 2,3% dhe partneri i 10-të më i madh në drejtim të eksporteve me një peshë prej 1,9%.

Por për Gjokutajn, aspekti dominant dhe i marrëdhënies tregtare lidhet me politikën amerikane në kuptimin e gjerë.

"Interesat amerikane janë koordinuar edhe me interesat e Bashkimit Europian, sidomos anëtarësimi në NATO, në kuadrin e politikave që pritet të jenë më proteksioniste në aspektin e administratës së re të presidentit [Donald] Trump, i cili do t'i mëshojë edhe një herë ngushtimit të deficitit tregtar dhe rritjes së prodhimit vendas, por duke e konsideruar Shqipërinë në kuadrin e diversifikimit të burimeve energjetike. Energjia në administratën e re do të mbajë një rol shumë më të fuqishëm," tregon z. Gjokutaj.

SHBA janë një nga investitorët kryesorë në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.

Gazetare: Entela Komnini

/rtsh.al/