RTSH 24 Live

Politikë

Shqipëria zgjidhet për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

10/10/2023

Shqipëria zgjidhet për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, ka njoftuar se Shqipëria është zgjidhur anëtarë e Këshillit të të Drejtave të Njeriut

 Në një reagim në platformën “X”, Hasani shkruan se kjo është një tjetër arritje e madhe e politikës dhe diplomacisë së jashtme shqiptare.

Pas votimit me 123 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sot pasdite, vendi ynë u zgjodh anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026.

“Një tjetër arritje e madhe e politikës së jashtme dhe diplomacisë; një tjetër demonstrim i besimit nga shtetet anëtare të OKB-së për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare. Këtë herë plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e Të Drejtave të Njeriut kudo dhe për të gjithë”, shkruan Ministri Hasani në rrjetet sociale. 

Objektivi kryesor i Shqipërisë, si anëtare e Këshillit të tëDrejtave të Njeriut do të jetë të punojë brenda Këshillit dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd.

Vendi ynë do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet e tjera anëtare të OKB-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gjithë partnerët për zbatimin e këtyre angazhimeve.

Këshilli, i cili është i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në nivel global, përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me votim të fshehtë nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.

Ambasada e SHBA-së: Krenarë të qëndrojmë përkrah Shqipërisë

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në një mesazh në rrjete sociale ka uruar vendin tonë, pasi u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Pas votimit me 123 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vendi ynë u zgjodh anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026.

“Urime Shqipërisë për zgjedhjen e saj në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut! Shqipëria ka qenë një zë parimor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe zgjedhja e saj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut është një mundësi tjetër për të dalë në mbrojtje të më të cenuarve në mbarë botën. Ne jemi krenarë që qëndrojmë përkrah Shqipërisë në promovimin e dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë në mbarë botën”, shkruhet në mesazhin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë

 

/rtsh.al/