RTSH 24 Live

Kosovë

Shpërthimi në Ibër-Lepenc, Sveçla: Serbia, përgjegjëse për sulmin. Kemi arrestuar tetë persona

30/11/2024

Shpërthimi në Ibër-Lepenc, Sveçla: Serbia, përgjegjëse për sulmin. Kemi arrestuar tetë persona

Tetë persona janë arrestuar për sulmin terrorist në kanalin e ujit Ibër-Lepenci. Në konferencën e jashtëzakonshme për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se Beogradi zyrtarë është përgjegjës për shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Sveçla, ka theksuar se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Sipas tij, janë konfiskuar një arsenal armësh, eksplozivësh e uniformash.

“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit...Qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen dhe të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

Ai vuri në dukje se Kosova konsideron Serbinë si përgjegjëse për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepenci.

Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste siç janë sulmet e fundit me granata në Zveçan dhe tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike janë sulme që dirigjohen nga Serbia dhe për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, ka thënë ai.

Sveçla e ka cilësuar shpërthimin në Zubin-Potok si aktin më të rëndë të pasluftës.

Ky sulm terrorist s’është vetëm një sulm i rëndomtë, por i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimizohet dëmtimi ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ministri.

Nga ana e tij, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si sulme terroriste që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës.

/rtsh.al/