RTSH 24 Live

Kosovë

BE dënon sulmin terrorist të kryer në kanalin ujor në Ibër-Lepenc

11 orë para

BE dënon sulmin terrorist të kryer në kanalin ujor në Ibër-Lepenc

Bashkimi Evropian ka dënuar sulmin terrorist që ndodhi të premten në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok të Kosovës.

Në një deklaratë të Përfaqësuesit të lartë për politikë të Jashtme dhe siguri të BE-së shpërthimi është cilësuar “akt i neveritshëm sabotimi” në infrastrukturën kritike të Kosovës.

Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Josep Borrell përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Shefi i diplomacisë evropiane ka porositur se institucionet me seli në Bruksel solidarizohen me të gjithë qytetarët e prekur nga ky sulm. Ai shtoi se këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia ka përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme.

“Ky akt kriminal duhet të hetohet dhe autorët e tij të vihen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet”, ka nënvizuar Borrell në këtë komunikatë.

Ai ka konfirmuar se BE ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës, se misioni i EULEX-it po ofron ndihmë, teksa po vazhdon koordinimi i hapave të mëtejshëm me partnerët përkatës, përfshirë këtu edhe KFOR-in.

/rtsh.al/