RTSH 24 Live

Kronika

Shembet me tritol “Prestige resort" në plazhin e Kavajës

04/12/2022

Shembet me tritol “Prestige resort" në plazhin e Kavajës

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi të dielën me shpërthim të kontrolluar një hotel luksoz 7-katësh, i ndërtuar në vijën bregdetare të Kavajës. 

Shembja u krye pa shkaktuar asnjë dëm anësor,

Por ky veprim i IKMT-së përplasi në distancë mazhoracën dhe opozitën.

Për kreun e qeverisë Edi Rama, ky operacion nuk ka lidhje me lirinë e medias, por me paligjshmërinë. Sipas tij, objekti nuk është ndërtuar sipas kritereve ligjore.

"Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median. Ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi! Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj! Janë deri tani 15 vendime konfiskimi. Kjo e sotmja s’është e vetmja prishje, e ndërkohë kontrollet po vazhdojnë" tha kryeministri. 

Zoti Rama paralajmëroi, se do të futet një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik (maksimumi çdo 60 ditë) të zbatimit të lejeve të ndërtimit. 
“Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi!Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë!" tha zoti Rama.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar Partia Demokratike, më e madhjae opozitës. Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka ka denoncuar shembjen, duke u shprehur se kjo është prova e marrëzisë së Edi Ramës.

"Partia Demokratike i neverit dhe dënon me ashpërsi vendime dhe akte të tilla, që janë imitime të verbra dhune dhe frike ushtruar nga Talebanët në Afganistan", tha Noka në deklaratën e tij publike nga selia e PD.

IKMT prej ditësh kishte bllokuar resortin në vijën bregdetare të Kavajës, të cilit pavarësisht kundershtimit të pronarëve, iu ishte komunikuar vendimi i prishjes pasi nuk dispononin leje ndërtimi.