RTSH 24 Live

Ekonomi

Shqipëria turistike, zv.ministrja Gjuzi tregon prioritetet dhe sfidat për 2025

3 orë para

Shqipëria turistike, zv.ministrja Gjuzi tregon prioritetet dhe sfidat për 2025

Për të tretin vit radhazi, turizmi është kthyer në sektorin prioritar të ekonomisë shqiptare, duke vendosur shifra rekord jo vetëm për sa i përket numrit të turistëve, por edhe arkëtimeve.

Turizmi në vendin tonë po krijon qëndrueshmëri për sa i përket shfrytëzimit të infrastrukturës akomoduese, gastronomisë dhe historisë e kulturës kombëtare.

Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, zëvendësministrja e Turizmit, Ilva Gjuzi, theksoi se gjatë 2024 vendi u vizitua 11.7 milionë turistë, duke shënuar në rritje me 15 %, ndërsa të ardhurat nga sektori vetëm për janar–shtator ishin 3.9 miliardë euro.

“Sektori prioritar që po gjeneron të ardhura për ekonominë shqiptare është turizmi. Ne mbyllim 2024 me 11.7 milionë turistë, kemi një rritje me 15 %. Turistët nuk vijnë tashmë vetëm për det dhe diell në pikën e sezonit, por shtrihen gjatë gjithë vitit. 3.9 mld euro kemi bërë vetëm nga janari në shtator për 2024. Për qytetarët shqiptarë kjo ka një impakt dhe në strukturat akomoduese ku baza është zgjeruar jo vetëm me hotelet por edhe qiratë afatshkurtra të apartamenteve. Duhet të kemi një ofertë akomoduese të certifikuara dhe kjo shkon përtej nevojës së formalizmit të tyre, por edhe te nevoja për të certifikuar atë strukturë nga ana cilësore dhe turisti kur vjen në Shqipëri të dijë ku shkon dhe të mos ketë surpriza të pakëndshme”, tha ajo.

Gjuzi theksoi gjithashtu se turizmi në Shqipëri nuk është më i fokusuar vetëm në plazhe dhe diell, por ka një sezon turistik më të shtrirë gjatë gjithë vitit. Për vitin 2025, Gjuzi nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë të zhvillojë produkte të reja turistike dhe të investojë në infrastrukturë që lidhin destinacionet natyrore dhe kulturore.

“Ajo që ka ndodhur vitet e fundit është që të shtyjë sipërmarrjet dhe të gjenerojë produkte të reja turistike. Nëse flasim për bukuritë natyrore Shqipëria ka shumë , por ka nevojë edhe për infrastrukturë rrugore. Para disa vitesh kishim vetëm pushues, ndërsa dy vitet e fundit kemi parë që kemi turistë që përtej plazhit eksplorojnë edhe pjesën tjetër të Shqipërisë. Janë mbi 5 milionë turistë që vizitojnë parqet natyrore, vizitohet sitet kulturore me rreth 1.5 mln vizitorë, vijnë për të shijuar festivalet që organizohen, pra vendi ka potencial për të tërhequr turistë. Kemi mbi 260 struktura agro-turistike në të gjithë vendin dhe kjo ndihmon edhe strategjinë për rritjen e turizmit”, tha ajo.

/rtsh.al/