Zbritja e temperaturave nën 0°C ka bërë që blegtorët të marrin një sërë masash për të ruajtur kafshët.
Dy momentet kryesore ku duhet të përqendrohet kujdesi në këtë periudhë sipas përgjegjësit të sektorit të punës racore pranë qendrës së transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë Lazart Suraj, janë sigurimi i strehimit me kushtet e duhura për t’i mbrojtur kafshët nga i ftohti dhe ushqimi i bollshëm.
“Duhet që kafshët të konsumojnë ushqim të mirë me qëllim të mbarëvajtjes së mirë të rritjes së qengjave. Duke qenë se temperaturat janë të ulëta në këtë vend, ambjentet duhet të jenë sa më të ngrohta dhe të ajrosura”, tha Përgjegjës sektori, QTTB Korç, Lazart Suraj.
Sa i takon lindjes tek të imtat, ai thotë se në këtë qendër procesi është ezauruar në masën 90 përqind.
Blegtoria është një ndër sektorët kryesorë të Qarkut Korçë dhe vitet e fundit, ka marrë më tepër zhvillim. Reproduktorët që blegtorët marrin nga kjo qendër, u shërbejnë për përmirësimin racor në fermat e tyre blegtorale pasi janë kafshë me potenciale të mëdha gjenetiko - produktive, për rrjedhojë rritet dhe efektiviteti ekonomiko-financiar i tyre.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/