Qeveria miratoi të enjten projektvendimin për funksionimin e Komisionit të Verës.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila e cilësoi këtë si një hap drejt harmonizimit të sektorit me standardet europiane.
“Vlerësimi dhe regjistrimi i verërave cilësore, me emërtimin “Term Tradicional”, mbyll këtë cikël në përputhje me standardet dhe kërkesat ligjore të BE-së”, tha ministrja.
Sipas saj, rritja e vlerës së produkteve dhe konkurrueshmërisë së verërave shqiptare në tregjet globale, gjeneron më shumë të ardhura për këtë sektor.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11,2%, ose rreth 25 000 hektolitra. Ajo eksporton 140 hektolitra në vit ndërsa importon mbi 30 000 hektolitra. Në vitin 2023 Decanter World Wine Awards 2023, një nga konkurset më të mëdha dhe me ndikim në botë i verërave, shpalli fituese 4 verëra nga kantinat shqiptare.
/ rtsh.al /