Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se primaret do të shpallen së shpejti dhe do të jenë të hapura për të gjithë shqiptarët, pavarësisht vendbanimit të tyre. Ai theksoi rëndësinë e një procesi transparent për votën e diasporës, duke garantuar përdorimin e një shërbimi postar ndërkombëtar të paanshëm për transportimin e votave, si dhe mekanizma të kontrollit të dyanshëm në të gjitha etapat e numërimit.
“Primaret së shpejti do të shpallen, janë të hapura për shqiptarët kudo që banojnë, në Shqipëri, diasporë dhe kudo që ndodhen. Ne po bëjmë gjithçka për një proces transparent të votës së diasporës. Është garantuar një postë e paanshme në princip, një postë prestigjioze ndërkombëtare që do të transportojë këto. Ndërkohë mekanizmat e kontrollit të dyanshëm, në të gjitha etapat e numërimit të këtyre votave. Unë ftoj çdo qytetar jashtë vendit, që të ushtrojë të drejtën e votës dhe të ndihet krenar, se me votën e tyre kësaj radhe ka të gjithë mundësinë të firmosë rotacionin, ndryshimin. Primaret do të jenë të hapura për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë jashtë vendit që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të kontribuojnë në procesin e ndryshimit politik. Ai njoftoi se PD ka krijuar një faqe të veçantë, "Diaspora Voton", ku qytetarët mund të marrin udhëzimet e nevojshme për t’u regjistruar në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Ne po përpiqemi në mënyrë të përditshme të informojmë. Po organizojmë takime në të gjitha vendet, por kemi krijuar edhe një faqe të veçantë, e cila kërkon gjithsej 30 sekonda kohë dhe ju dërgon me e-mail apo në Whatsapp, të gjithë instruksionin se si të regjistroheni në platformën e KQZ-së. Pra, ju lutem shumë, klikoni në uebin e PD, në nënfaqen Diaspora Voton. Aty do merrni automatikisht udhëzuesin për mënyrën se si duhet të regjistroheni në KQZ”, tha ai.
Ai garantoi se partia po punon intensivisht për të informuar qytetarët dhe po organizon takime në vende të ndryshme për të lehtësuar procesin e votimit nga diaspora.
/rtsh.al/