RTSH 24 Live

Politikë

Nga e premtja Kuvendi i kthehet punës, do shqyrtojë mandatin e Vullnet Sinajt

6 orë para

Nga e premtja Kuvendi i kthehet punës, do shqyrtojë mandatin e Vullnet Sinajt

Kuvendi i Shqipërisë i rikthehet punës këtë të premte, duke hapur sesionin e ri parlamentar me një agjendë të ngjeshur dhe çështje të rëndësishme për funksionimin e shtetit ligjor.

Puna nis me mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të diskutohet mocioni i paraqitur nga deputetët e Partisë Demokratike për verifikimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.

Mocioni përfshin kërkesën për të ndjekur procedurat parlamentare dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Përveç kësaj, në rendin e ditës janë dy projektvendime të rëndësishme, që synojnë përmirësimin e funksionit të brendshëm të Kuvendit dhe rregullimin e procedurave legjislative.

Të hënën do të mblidhet edhe Konferenca e Kryetarëve për të përcaktuar kalendarin e punës për këtë sezon të ri, ndërsa pasdite në orën 17:00 do të zhvillohet seanca e parë parlamentare për këtë vit.

Ndër prioritetet e këtij seksioni do të jetë miratimi i ndryshimeve ligjore për Kodin Zgjedhor, me qëllim lehtësimin e votimit të emigrantëve për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit. 

Përpjekjet për një pakt të ri mes mazhorancës dhe opozitës për ndryshimin e Kodit Elektoral tashmë kanë nisur, duke u fokusuar te garantimi i pjesëmarrjes së diasporës në procesin zgjedhor.

Një nga ndryshimet kryesore që pritet të miratohet është detyrimi për të dorëzuar listat e kandidatëve 60 ditë para zgjedhjeve, duke i dhënë kohë KQZ-së që të përgatitet për shpërndarjen e fletëve të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/