Për herë të parë, diaspora do të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen më 11 maj. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER), ndërsa gazetarët Ervin Koçi dhe Ardit Hoxha kanë bërë një analizë të detajuar të të gjithë procesit në studion e emisionit “Mirmëngjes Shqipëri” në RTSH.
Janë 19,490 persona të regjistruar në platformën PER, por vetëm 3.354 prej tyre janë miratuar, ndërsa gazetari Koçi sqaroi se ka një ngërç me adresat e deklaruara, që është edhe arsyeja kryesore, sipas tij, e refuzimit të kërkesave.
“Arsyeja kryesore e refuzimit ka të bëjë që dokumenti i aploduar i rezidencës nuk përputhet me adresën e deklaruar nga na e zgjedhësit. Praktika që po ndiqet tani nga KQZ ka të bëjë që adresa e deklaruar në dokumentin e identifikimit të rezidencës, nuk përputhet me adresën që ka deklaruar. Është një nonsens që do kërkojë një zgjidhje teknike nga KQZ. Ishte refuzuar kërkesa e një zonje pasi si adresë banimi kishte regjistruar banesën e të shoqit dhe ishte refuzuar sepse adresa e deklaruar nuk dilte me emrin e saj. Ky është një problem teknik që besoj se duhet të zgjidhet nga KQZ, ndaj janë edhe aq shumë kërkesa në pritje. Kërkesa duhet të shqyrtohet brenda 5 ditëve dhe duket se të gjithë aplikimeve pothuajse po i vjen fundi i afatit”, u shpreh Koçi.
Emigrantët mund të regjistrohen edhe me një mjet identifikimi të skaduar, por do të duhet të ngarkojnë më pas në sistem dokumentin e rinovuar, në mënyrë që t’i shkojë fleta e votimit ditën e zgjedhjeve.
“Për t’u regjistruar kërkohet dokumenti ID shqiptar dhe dokumenti që tregon se ti rezident në shtetin tjetër. Mund të regjistrohesh me ID të skaduar, por duhet ta rinovosh në mënyrë që të të vijë fleta e votimit”, sqaroi gazetari Koçi.
Afati për t’u regjistruar për emigrantët është deri më 4 mars, teksa gazetari Ardit Hoxha tregon se çfarë ndodh në rast se humbet ky afat.
“Nëse nuk regjistrohen deri më 4 mars, humbin të drejtën e votimit nga vendi ku jetojnë dhe do të duhet të vijën ën Shqipëri për të votuar”, tha ai.
/rtsh.al/