RTSH 24 Live

Aktualitet

Apeli i GJKKO zbardh vendimin për Berishën: S’ka prova të reja, jemi në fushatë

5 orë para

Apeli i GJKKO zbardh vendimin për Berishën: S’ka prova të reja, jemi në fushatë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka zbardhur vendimin për masën "detyrim paraqitje" ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit "Partizani". Sipas vendimit, nuk janë paraqitur prova apo elementë të rinj që të vërtetojnë rrezikun e arratisjes ose dëmtimin e provave nga Berisha.

Në vendim argumentohet se Berisha ka kryer tashmë një vit “arrest shtëpie”, masë që iu vendos për shkak të shkeljes së mëparshme të “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

“Lidhur me kushtet e veçanta për caktimin e masës së sigurimit personal, nga vendimmarrja e gjyqtarit të hetimeve paraprake nuk ka ndryshuar asgjë, dhe gjyqtari i seancës paraprake nuk ka sjellë ndonjë element të ri që tregon mungesën e kushteve të veçanta si rreziku i ikjes dhe rreziku i dëmtimit të provave. Vendimi i gjyqtarit të hetimeve paraprake (lidhur me caktimin masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”), i ka kaluar të tre shkallët e gjykimit madje dhe Gjykatën Kushtetuese dhe është konfirmuar. Ndërkohë, masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është vendosur jo për shkak të shtimit të nevojave të sigurimit por për shkak të thyerjes së detyrimeve të masës së mëparshme të sigurimit, ajo e “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore””, thuhet në vendim

Në shqyrtimin e fundit, gjykata vendosi se “arresti në shtëpi” nuk ishte më i nevojshëm, duke marrë parasysh edhe se vendi është në prag të fushatës zgjedhore dhe Berisha është lideri i opozitës.

 “Lidhur me zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga ajo e “Arrest në shtëpi” në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, duke marrë parasysh:

– faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”,

– faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrezuar tashme nga Gjykata Kushtetuese,

– moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera,

– si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare, u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme”, thuhet në vendim.

Gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjithsesi, paralajmëroi se nëse Berisha nuk respekton këtë masë, organi i akuzës mund të kërkojë një masë sigurimi më të rëndë.

Ky vendim i lejon Sali Berishës të vazhdojë aktivitetin e tij politik, ndërsa vijon procesi hetimor nga SPAK për dosjen e ish-kompleksit "Partizani".

/rtsh.al/