RTSH 24 Live

Botë

Biden paralajmëron në fjalimin e lamtumirës: Po formohet një oligarki e rrezikshme

4 orë para

 Biden paralajmëron në fjalimin e lamtumirës: Po formohet një oligarki e rrezikshme

Presidenti në largim i SHBA, Joe Biden paralajmëroi për një oligarki "të rrezikshme" që po merr formë në Amerikë, ndërsa mbajti fjalimin e lamtumirës dhe i dha fund një karriere dhjetëvjeçare në politikë.

"Sot, një oligarki po merr formë në Amerikë me pasuri ekstreme, pushtet dhe ndikim që kërcënon me të vërtetë të gjithë demokracinë tonë, të drejtat dhe lirinë tonë bazë," tha ai.

Biden, 82 vjeç, gjithashtu përdori fjalimin e tij të fundit televiziv nga Shtëpia e Bardhë për të dhënë paralajmërime rreth ndryshimeve klimatike dhe dezinformimit të mediave sociale. Duke folur nga Zyra Ovale ku ishte mbledhur edhe familja e tij, ai paraqiti arritjet e administratës së tij, duke iu referuar krijimit të vendeve të punës, shpenzimeve të infrastrukturës, kujdesit shëndetësor, nxjerrjen e vendit nga pandemia dhe bërjen e SHBA një vend më të sigurt.

Ai shtoi, megjithatë, se "do të duhet kohë për të ndjerë ndikimin e plotë të gjithçkaje që kemi bërë së bashku, por farat janë mbjellë, dhe ato do të rriten dhe do të lulëzojnë për dekadat e ardhshme".

Mbi ndryshimet klimatike, ai tha se "forcat e fuqishme duan të ushtrojnë ndikimin e tyre të pakontrolluar për të eliminuar hapat që kemi ndërmarrë për të trajtuar krizën klimatike për t'i shërbyer interesave të tyre për pushtet dhe fitim".

Mbi keqinformimin, Biden paralajmëroi se "amerikanët po varrosen nën një ortek keqinformimi dhe dezinformimi, duke bërë të mundur abuzimin me pushtetin".

Ai dha gjithashtu një goditje ndaj kompanive të medias sociale të tilla si Meta, e cila kohët e fundit ka njoftuar se do të heqë kontrolluesit e pavarur të fakteve. "Media sociale po heq dorë nga kontrolli i fakteve. E vërteta është mbytur nga gënjeshtrat e thëna për pushtet dhe për fitim," tha Biden.

Duke mbyllur fjalimin e tij, Biden u bëri thirrje amerikanëve që të "rrinë roje" të vendit të tyre.

Fjalimi i tij i lamtumirës erdhi në të njëjtën ditë që ai njoftoi një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, të cilën e përmendi në fjalën e tij të hapjes.

Biden tha se negociatat kishin qenë disa nga më të vështirat e karrierës së tij dhe mori meritën për ndihmën për të arritur marrëveshjen.

Marrëveshja parashikon një armëpushim që do  të hyjë në fuqi në 19 janar, një ditë përpara se Trump të marrë detyrën. Presidenti i ardhshëm ka marrë gjithashtu meritën për marrëveshjen, duke thënë se kjo ishte e mundur vetëm sepse ai fitoi zgjedhjet në nëntor. /BBC

/rtsh.al/