Qeveria izraelite ka shtyrë takimin ku do të miratonte marrëveshjen e arritur një ditë më parë me Hamasin, duke akuzuar këtë të fundit se kishte kërkuar lëshime të minutës së fundit.
Në një deklaratë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi Hamasin për tërheqje prapa në disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit dhe tha se qeveria izraelite do ta vononte miratimin e saj.
“Hamasi po tërhiqet nga pjesë të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësit dhe Izraelin në një përpjekje për të arritur lëshime të minutës së fundit. Kabineti izraelit nuk do të mblidhet derisa ndërmjetësit të informojnë Izraelin se Hamasi ka pranuar të gjitha kushtet e marrëveshjes," tha Netanyahu në një deklaratë.
Nga ana e saj Hamasi shprehet se organizata palestineze mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të shpallur të mërkurën nga ndërmjetësit.
Katari, ndërmjetës kyç në bisedimet mes palëve në luftë, njoftoi të mërkurën se Izraeli dhe Hamas kishin rënë dakord për armëpushim që do të fillonte të dielën, si dhe shkëmbim të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite me pengje izraelite që mbahen në Rripin e Gazës.
/rtsh.al/