RTSH 24 Live

Botë

Christopher Hill: Rusia përdor rafinerinë në Serbi për të financuar luftën

4 orë para

Christopher Hill: Rusia përdor rafinerinë në Serbi për të financuar luftën

Ambasadori amerikan në largim në Serbi, Christopher Hill ka deklaruar se Rusia ka filluar të përdorë rafinerinë në Serbi për të financuar luftën. Ndërsa argumentoi arsyet e vendosjes së sanksioneve nga SHBA ndaj Industrisë Serbe të Naftës, Hill u shpreh se Rusia duhet të dalë nga NIS.

 “Për sa i përket NIS, ka vite që ka shqetësime, sepse Rusia bleu të vetmen rafinerinë e madhe të naftës në Serbi. Ne e kemi ndjekur këtë për një kohë të gjatë, shumë kohë përpara agresionit rus kundër Ukrainës, dhe jemi të shqetësuar se Rusia po përdor energji dhe produkte energjetike dhe se po nxjerr përfitime politike për vete. Kjo vazhdoi edhe pas fillimit të luftës në Ukrainë. Prandaj, Rusia filloi të përdorë rafinerinë në Serbi për të financuar luftën. Përfundimi ishte se Rusia duhet të largohet nga NIS, dhe kjo është ajo për të cilën po punojmë tani”, tha Hill.

Ky i fundit shprehu shqeytësimin amerikan mbi shitjen, duke theksuar se Serbia humbi sovranitetin mbi naftën e saj dhe përfundoi në një situatë ku Rusia përcakton se sa naftë do të rafinohet.

"Ne jemi të shqetësuar se Rusia arriti të bëjë fitime të mëdha, fitime që nuk qëndruan në Serbi, por shkuan në Rusi, dhe veçanërisht në makinën ruse të luftës, kështu që ne vërtet po përpiqemi të zvogëlojmë aftësinë e Rusisë për të marrë burime financiare për luftën në Ukrainë. Për këtë bëhet fjalë”, shpjegoi Hill.

Ky i fundit komentoi ndërkaq edhe afatin 45-ditor për daljen e mundshme të Rusisë nga pronësia në NIS. Hill nënvizoi se afati nuk do jetë problem për Serbinë.

 “Nëse ka një plan, afatet mund të jenë fleksibël. Nuk po flasim për këtë afat specifik deri më 25 shkurt, por për disa raste të tjera të ngjashme. Nuk besoj se afati do të jetë problem për Serbinë. Është 45 apo 60 ditë? Çështja e vërtetë është krijimi i një lidershipi serb në NIS. Industria e naftës në Serbi duhet të menaxhohet nga Serbia, jo nga Rusia. Prandaj, menaxhmenti serb dhe a mund të realizohet brenda një afati të arsyeshëm”, ka theksuar Hill.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj industrisë së naftës të Rusisë, sanksione që kanë shënjestruar edhe kompaninë serbe, Industria e Naftës së Serbisë, NIS.

Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

/rtsh.al/