Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk arriti të hënën të pajtohet me kërkesën e Rusisë për të diskutuar 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi si kundërpërgjigje për masakrat që po kryheshin në Kosovë.
Tri vende anëtare, Rusia, Kina dhe Algjeria votuan në favor të nismës, ndërsa 12 shtete abstenuan.
"Serbia dështoi, me ndihmën e Rusisë, që të detyrojë Këshillin e Sigurimit ta vendosë në agjendë temën e 25-vjetorit të bombardimeve nga aleanca e NATO-s. Vetëm tri shtete e mbështetën, ndërsa 12 abstenuan, që në praktikë do të thotë kundër.
Ne besojmë se tema është jashtëzakonisht e rëndësishme për rendin juridik ndërkombëtar, pasi bombardimi i Serbisë u vendos si precedent. NATO-ja dhe anëtarët e saj nuk kishin asnjë bazë ligjore për agresion kundër Jugosllavisë. Sepse lufta e atyre viteve dhe dekadave për shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia ishte e paligjshme. Jemi të zhgënjyer që sot u ndalua të dëgjohet e vërteta për agresionin e NATO-s," deklaroi ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq nga godina e OKB-së.
Shefi i diplomacisë serbe akuzoi Kosovën për spastrim etnik.
"Po tani a duhet një ndërhyrje humanitare kundër Prishtinës kur po kryhen krime kundër popullit serb, kur 14 për qind e serbëve janë dëbuar në muajt e fundit, kur Prishtina nuk dëshiron të formojë një Komunitet të Komunave Serbe, por për këtë arsye shpërblehet me anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare?" tha kreu i diplomacisë serbe.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, me një reagim në rrjetet sociale tha se Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj "për të shtrembëruar të vërtetën".
“Bashkë me aktivisten e shquar dhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila sot është e dërguara e posaçme e presidentes Osmani për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, ishim në selinë e Kombeve të Bashkuara, për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Rusia në një tentativë për të ngritur paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s dhe luftës agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës.
Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt," shkroi kryediplomatja Gërvalla në Facebook.
Përfaqësuesi i Francës në OKB, Nikola dë Rivier (o. Nicolas de Riviere) e kundërshtoi diskutimin për sulmet e NATO-s të vitit 1999 që në fillim të seancës, duke thënë se ai nuk do të "kontribuonte në ndonjë progres".
"Rusia në mënyrë cinike e ka përdorur ndërhyrjen e vitit 1999 për të justifikuar luftën e vet ndaj Ukrainës dhe politikën agresive të jashtme në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Krime në 2014," tha z. Rivier. /AJ
/rtsh.al/