RTSH 24 Live

Kosovë

Seanca e Këshillit të Sigurimit për dinarin, përballen Kurti e Vuçiq

08/02/2024

Seanca e Këshillit të Sigurimit për dinarin, përballen Kurti e Vuçiq

Ka filluar seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në New York po mbahet seanca e jashtëzakonshme për situatën në Kosovë, me kërkesë të Serbisë, pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Në këtë seancë Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwartz.

Ndërsa, Serbia përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se Serbia ka kryer gjenocid në shekullin 20. Kurti, pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se serbët e Kosovës po persekutohen i ka quajtur ‘ironi të thellë dhe ndjenjë distopiane’.

Duke folur në Këshill të Sigurimit të OKB-së, kreu i Qeverisë së Kosovës tha e Serbia e ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20, madje sipas tij, ajo ende mbetet i njëjti shtet dhe kërcënuesi më i madh i paqes dhe i sigurisë. “Është një ironi shumë e thellë dhe një ndjenjë distopiane për pretendime të rrejshme për persekutime nga një vend që është njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shek 20 dhe kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë.  Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë,Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e ka formuar Tribunalin e Hagës, për shkak të krimeve çnjerëzore të Serbisë te popullata civile”, tha Kurti.

Ai tha se ky Këshill ka krijuar Tribunalin e Hagës në 1993 për shkak të krimeve sipas Konventës së Gjenevës.

“Serbia ka kryer vrasje, tortura, gjymtime, gjenocid në Serbrenicë dhe Kosovë. Studiuesit kanë treguar se si përdhunimet janë përdorur si mjet lufte, madje nga kjo vuajtje Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar veten në një shoqëri multietnike, që sheh përpara me një shtet solid demokratik”, tha Kurti. Ai tha se një çerek shekulli paslufte Kosova qëndron krenare me një shoqëri për të gjithë. “Qëndrimi i Qeverisë sonë për dinjitetin sundimin e së drejtës ka shtrënguar edhe ekonominë, që nga intervenimi i NATO-së jemi angazhuar në mënyrë aktive nga shumë aleatë për të krijuar institucione efikase”, tha kryeministri Kurti.

Vuçiq: Kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si çdo herë edhe në këtë seancë ka vazhduar me propagandën që e bën Serbia ndaj Republikës së Kosovës. Ai ka përmendi se Serbia vazhdon mbështetjen ndaj popullsisë serbe që jeton në Kosovë, duke përmendur se paguan mijëra rroga për serbët lokal. Vuçiqi kërkoi që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pasi që sipas tij është nënshkruar në vitin 2015.

Vuçiq, i cili tha se ndodhitë në Kosovë janë në kundërshtim me kartën e OKB-së. Madje sipas tij, kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët dhe se një situatë e tillë mund të krijoj dëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë..

“E nderuara presidente, ju falënderoj për organizimin e këtij takimi, është i rëndësishëm sepse ndodhitë janë në kundërshtim me kartën e OKB-së. Kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët, situata e tillë mund të krijoj dëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë. Serbia ka njoftuar për situatën e vështirë që ndodhën serbët atje. Kemi kërkuar këtë takim për shkak të rregullores së BQK-së, ku u ndalua dinari serb”, tha ai.

/rtsh.al/