RTSH 24 Live

Politikë

Samiti i Procesit të Berlinit/ Përfundon takimi i Ramës me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor

17/07/2023

Samiti i Procesit të Berlinit/ Përfundon takimi i Ramës me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor

Ka përfunduar takimi informal i kryeministrit Rama me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi i cili u zhvillua në Vilën 30 në kryeqytet u mbajt në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.

Të pranishëm në takim ishin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë se Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Borjana Kristo.

Në takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi.

Kryeministri i Kosovës do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

Çfarë është Procesi i Berlinit

Iniciativa synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje Hercegovina, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.

E prezantuar me 28 gusht nga kancelarja Anglea Merkel, Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Europian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare, bazuar në miratimin e akuis komunitar, apo tërësia e të drejtave dhe e detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

/rtsh.al/