33-vjeçarja ruse Svetlana Timofoeva e arrestuar në uzinën e armëve në Gramsh duket se nuk është përballur për herë të parë me akuzën e spiunazhit. Një vit më parë në rrjetet e saj sociale, të cilën e ka nën emrin Lana Sator, ajo sqaron se atë nuk e financon asnjë nga shërbimet e huaja inteligjente dhe se pasioni i saj është fotografia që e bën prej 15 vitesh.
Edhe në deklaratën e saj para oficerëve të Antiterrorit në Shqipëri ajo tha se ka ardhur si turiste dhe i pëlqen të fotografojë objekte, bunkerë dhe ndërtesa të vjetra të braktisura nga shteti apo që janë përdorur si baza ushtarake.
Një vit më parë në tetor të 2021 ajo shkruante:
“Kush qëndron pas këtij blogu? Kush i financon të gjitha këto udhëtime? Si i gjeni këto vende? Ku janë aventurat e ardhshme dhe si mund të mbështeten ato? A mund të blej reklama në blogun tuaj? Shpesh marr pyetje si kjo dhe vazhdoj ta shoh blogun tim të referuar diku në internet si “projekti i fotografisë Lana Sator” – edhe pse @lanasator është vetëm një person. Unë udhëtoj shumë, vetëm kështu blej biletat, gjej një vend për të qëndruar, kap çantën e shpinës dhe nis rrugën! Këtë e bëj prej më shumë se 15 vitesh. Blogu im nuk sponsorizohet nga ndonjë inteligjencë e huaj, për të cilën do të përpiqesha të gjeja dhe të tregoja vende të ndryshme të harruara. Të gjitha pajisjet janë të miat, askush nuk më jep kamerën dhe nuk më thotë se çfarë të shkrep.
Meqë ra fjala, ka një mënyrë për të mbështetur blogun tim pa rezervuar guida ose pa blerë printime – thjesht tregoni miqve tuaj për faqen time. Në fund të fundit, ju jeni abonuar tek unë sepse është interesante- po sikur të mos jetë vetëm për ju? Nëse ju pëlqen diçka këtu, thjesht postoni ose fotografoni çdo postim në story ose në ndonjë rrjet tjetër social me një link aktiv në llogarinë time”, shkruante ajo.
Por ngjarja e ndodhur në uzinën e Gramshit ka bërë jehonë edhe në mediat botërore ku për rastin një gazetar investigativ në Bullgari Kristo Grozev shkruan se ajo udhëton shumë shpesh në shoqërinë e ‘fotografëve’ ku në janar njëri prej tyre u arrestuar në Egjipt. Ai ngre pyetje nëse blogje të tilla mos përdoren si mbulesë nga shërbimet e inteligjencës.
“Një nga rusët e arrestuar në Shqipëri është Svetlana Timofeeva. Ajo ka një histori interesante udhëtimi: kalimet kufitare tregojnë se ajo udhëtoi shumë herë në shoqërinë e "fotografëve" - të paktën një prej tyre u arrestua në janar në Egjipt dhe duhej të shpëtohej nga Ministria e Jashtme Ruse. Ky mund të jetë një koleksion i pafajshëm i fotografëve amatorë të mirëfinancuar që udhëtojnë nëpër botë (së bashku) dhe bëjnë blogje. Ose mund të jetë një mbulesë shumë e mirë e inteligjencës. Në një mënyrë apo tjetër, do ta zbulojmë shumë shpejt. Më shumë nesër me siguri” shkruan ai në twitter.
Është në dorë të autoriteteve shqiptare për të zbuluar nëse për ngjarjen kemi të bëjmë vetëm me 3 turistë që ushtruan dhunë duke plagosur 2 ushtarë shqiptarë apo me spiunazh dhe infiltrim të tyre nga shërbimet sekrete.
/rtsh.al/