RTSH 24 Live

Aktualitet

SHBA pezulloi ndihmat e huaja, BE: Ne e mbështesim reformën në drejtësi dhe SPAK

8 orë para

SHBA pezulloi ndihmat e huaja, BE: Ne e mbështesim reformën në drejtësi dhe SPAK

Vendimi i Presidentit Trump, për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë, në pritje të rishikimeve nga administrata e re, nuk do ta pengojë Bashkimin Evropian për të vijuar mbështetjen për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, si dhe SPAK në punën e tij.

Ky qëndrim është shprehur nga delegacioni i BE-së në Tiranë, pasi është pyetur të enjten nga mediat për ndihmën e BE-së në sektorin e drejtësisë.

Në përgjigje të interesimit, delegacioni i BE-së në Tiranë u shpreh se është në dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump, për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.

“BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për Reformën në Drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri. Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.”, thuhet në reagimin e BE-së.

Sipas delegacionit të BE-së, burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.

“Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro. SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.”, përfundon reagimi i delegacionit të BE-së në Tiranë.

/rtsh.al/