Është gjeneruar ekstrakti i dyte i listave te zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në krahasim me ekstraktin e parë është ulur numri i votuesve në lista për qytetin e Gjirokastrës për shkak të regjistrimit të emigranteve në platformën PER .
Nëpunësit e gjendjes civile janë duke kryer afishimet e listave të reja me ndryshimet përkatëse, me qëllim që të gjithë qytetarët e interesuar të kenë mundësi të verifikojnë emrat në lista.
“Ka ndryshim të listave të zgjedhësve nga ekstrakti i muajit janar, pasi këtu janë reflektuar të gjitha regjistrimet që janë bërë për emigrantët, shtetas shqiptarë të cilët kanë të drejtën e votës në Gjirokastër. Numri i votuesve sipas listës paraprake të muajit shkurt është 27 905 votues, për njësinë administrative Lunxheri është 7 182 votues. Për Lazarat 2 715 votues dhe për njësinë administrative Cepo është 4 924 votues”, deklaroi Minda Dalipi, përgjegjëse e zyrës së gjendjes civile”.
Në qytetin e Gjirokastrës ka 41 qendra votimi ndërsa në njësitë administrative të kësaj bashkie janë 27 qendra votimi .Të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote mund të verifikojnë emrin e tyre në listat zgjedhore të afishuara pranë bashkive apo njësive administrative, por edhe në portalin e-albania , në faqen e KQZ-së si dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme .
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/