RTSH 24 Live

Rajon

Rusia: SHBA dhe BE, përgjegjës për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës

27/05/2023

Rusia: SHBA dhe BE, përgjegjës për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës

Rusia bën përgjegjës Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Ndërsa dënon me vendosmëri sipas saj hapat provokues të Prishtinës, duke sjellë situatën jo të mirë në veri të Kosovës,  zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i kujton Prishtinës që të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, sipas TASS.

"Ne dënojmë me vendosmëri hapat provokues të Prishtinës që e kanë sjellë situatën në prag të një faze të nxehtë dhe kërcënojnë sigurinë e të gjithë rajonit të Ballkanit. Përgjegjësia për këtë është tërësisht e SHBA-së dhe BE-së. Ata nuk bënë asgjë për ta sjellë kryesinë e shqiptarëve të Kosovës. Prishtina të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015”, tha Zakharova.

Shtetet e Bashkuara qortuan Kosovën të premten, duke thënë se përdorimi i forcës për të vendosur kryetarë në zonat etnike serbe, minoi përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet e trazuara me Serbinë fqinje, ndërsa NATO të shtunën i kërkoi Kosovës të ulë tensionet.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale për të nisur punën të premten (26 maj), por kjo u shoqërua me protesta të shumta nga grupe të serbëve lokalë. Të paktën pesë policë u lënduan nga përplasja me protestuesit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti reagoi këtë të shtunë, duke ftuar qytetarët, veçanërisht ata serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj të komunave. Në përgjigje të reagimeve nga partnerët ndërkombëtarë, Kurti tha  se nuk kishin zgjidhje tjetër pasi një veprim ndryshe do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj.

Ndërkohë, një ditë pas përplasjes, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.

/rtsh.al/