RTSH 24 Live

Rajon

Ndërprerja e fondeve të SHBA, pasojat në Kosovë e Serbi dhe frika për rritjen e ndikimit rus

31/01/2025

Ndërprerja e fondeve të SHBA, pasojat në Kosovë e Serbi dhe frika për rritjen e ndikimit rus

Agjencia e njohur amerikane e lajmeve, Associated Press, ka bërë një analizë të ndikimit që mund të ketë në rajonin tonë vendimi i papritur i presidentit amerikan, Donald Trump, për të ndërprerë ndihmën e jashtme amerikane.

Sipas Associated Press, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID­), ka investuar miliarda dollarë në të gjitha vendet ish-komuniste dhe që kanë aspirata për t’u anëtarësuar në BE, duke përmendur Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë, teksa thekson se ngrirja e fondeve do të ketë efekte të gjera.

Në artikull citohet Sytrime Dervisholi, drejtore ekzekutive e Shoqatës së Ndërtimit të Parafabrikuar të Kosovës, e cila shprehet se fondet e ndalura të USAID-it do të ndikojnë negativisht në aftësinë e shoqatës së saj për të ofruar asistencë teknike për kompanitë anëtare që kërkojnë arsim dhe trajnim profesional dhe qasje në grante.

"Kosova, por edhe shoqata jonë, është e varur nga ndihma e huaj, kryesisht nga ndihma amerikane. Kështu që ne me të vërtetë shpresojmë se kjo masë do të jetë anuluar pas 90 ditësh”, u shpreh ajo.

Safet Gërxhaliu, një analist i pavarur ekonomik në Kosovë, beson gjithashtu se ngrirja e USAID-it mund të ketë "një ndikim shumë negativ" në të ardhmen e vendit, duke ndikuar në gjithçka, nga qeveria tek sektori privat dhe arsimi.

"Unë besoj se ndikimi është shumë i keq, sepse këto masa vijnë në të njëjtën kohë që Kosova është nën sanksione nga komuniteti evropian," tha ai.

Për Serbinë, Associated Press shkruan se reforma në fusha të tilla si forcimi i shtetit të së drejtës dhe trajtimi i korrupsionit kanë qenë të ngadalshme dhe se pezullimi i USAID-it mund të pengojë më tej përparimin.

"Aktualisht kemi një projekt të USAID rreth financimit publik. Trajnim për OJQ-të lokale lidhur me ndjekjen e financave publike dhe këto tani janë lënë pezull", tha Nemanja Nenadiç nga organizata Transparency International në Serbi.

Një mundësi gjeopolitike për Moskën

Associated Press citon një profesor moldav, i cili shpreh frikën për një forcim të ndikimit rus.  Cristian Cantir tha se çdo pezullim i ndihmës nga SHBA i jep Rusisë një mundësi të panevojshme për të shfrytëzuar dhe përfituar më tej.

“Në mënyrë të ngjashme, shkurtimi i fondeve për organet e pavarura të lajmeve e bën më të vështirë për gazetarët të mbajnë përgjegjës politikanët e korruptuar , shumë prej të cilëve kanë lidhje me Rusinë, dhe për këtë arsye dobëson sovranitetin dhe pavarësinë institucionale të Moldavisë", u shpreh ai.

Administrata e Trump ka ngrirë fondet si një kërkim përgjegjshmërie për të justifikuar shpenzimet amerikane jashtë vendit.