RTSH 24 Live

Rajon

Qytetarët bojkotuan blerjet, qeveria kroate ul çmimet për dhjetëra produkte bazë

31/01/2025

Qytetarët bojkotuan blerjet, qeveria kroate ul çmimet për dhjetëra produkte bazë

Qeveria kroate ka ulur çmimet e një liste prej 70 produktesh bazë.

Artikujt e përfshirë përmbajnë produkte të tilla si bukë, polenta, tërshërë, makarona, mish, produkte qumështi, fruta, perime dhe gjëra të domosdoshme shtëpiake.

Vendimi vjen pas bojkotit të bërë nga konsumatorët në shenjë proteste ndaj çmimeve në rritje.

Thirrja për bojkot u shpërnda nëpër rrjetet sociale, përmes së cilës u bëhej thirrje kroatëve që të “mos blejnë asgjë”.

Në shënjestër të bojkotimit ishin disa shoqëri të mëdha tregtare, për shkak të dyshimeve se çmimet e tyre nuk përputhen me ato në vendet e tjera të BE-së.

Qeveria ka vendosur gjithashtu norma të diferencuara të TVSH-së për këto produkte për të ulur më tej kostot.

Bojkoti u mbështet nga shoqatat, sindikatat për të drejtat e konsumatorëve dhe palët politike.

Grupet e konsumatorëve janë ankuar vazhdimisht se në Kroaci çmimet janë rritur vazhdimisht që kur shteti vendosi të përdorë euron si monedhë të saj në janar të vitit 2023.

Bojkoti që filloi në Kroaci duket se po merr ritmin në vendet e tjera të Ballkanit që përballen me rritje të ngjashme të çmimeve. Duke përmendur shembullin kroat, po rriten thirrjet edhe në Maqedoninë e Veriut, ku nëpërmjet medieve sociale është kërkuar bojkot i plotë i supermarketeve.

/rtsh.al/