RTSH 24 Live

Televizion

RTSH publikon videoklipin e këngës “Karma”

02/03/2021

RTSH publikon videoklipin e këngës “Karma”

Që prej orës 20 të së hënës, RTSH ka publikuar videoklipin e këngës “Karma”, me të cilën këngëtarja Anxhela Peristeri, si fituese e festivalit të 59-të të këngës në RTSH, do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në “Eurosong”.  
“Është një klip shumë i veçantë do të thoja, kur ta shikoni do ta kuptoni pse. Ka atë lidhje të drejtpërdrejtë me Karmën, me atë që ne bëjmë në jetë dhe na kthehet, me kujtimet e mia në të shkuarën. Është realizuar në Kosovë nga Imagine Films dhe Onima. Jam ndier shumë mire duke punuar me ta. Sigurisht edhe stafi që unë kisha me vete: Make up Artist, Parukierë dhe Stilistë ishin të mrekullueshëm. Dua t’i falenderoj të gjithë Kaci Leshi, Joni Peçi dhe Lorel. Regjisori ka qenë Butrinti. Dua të falenderoj edhe një herë nga zemra kompozitorin Kledi Bahiti dhe sigurisht Olti Currin për tekstin shumë të ndjerë të këngës” tha Peristeri për RTSH. 
Versioni i këngës “Karma” në klip është riorkestruar, duke i dhënë këngës një tjetër dimension magjik, enkas për skenën madhështore të Eurosongu-t. Sipas Peristerit kënga “E ka ruajtur atë frymën ballkanike, nuk ka ndryshime në melodi, thjesht orkestrimi është bërë më i fuqishëm dhe e ka pasuruar më shumë këngën dhe duket një këngë më e madhe, më e bukur”
Meqenëse, edhe ky vit e gjeti sërish festivalin e Eurovizionit në kushte të vështira për shkak të pandemisë, organizatorët kanë menduar për skenare të mundshme, në mënyrë që realizimi i tij të bëhet i mundur. “Deri në këto momente është duke u punuar për t’u realizuar skenari B, i cili është me publik të reduktuar. Të shpresojmë shumë që të realizohet ky skenar. Nuk ka ende një lajm tjetër nqs do anullohet apo jo kjo gjë, por prapë janë marrë masa që në rast se situata me pandeminë shkon shumë keq, do transmetojnë videot që janë xhiruar në Shqipëri dhe do konkurohet me ato video. Kështu që jemi duke punuar edhe për atë pjesë. Por deri tani janë të mira lajmet, jemi ende te skenari B” ta Peristeri.
Anxhela ka realizuar gjatë këtyre ditëve edhe një set fotografik me veshje të ndryshme tradicionale shqiptare, fotografi të cilat janë publikuar edhe në faqen zyrtare të “Eurovisionit”. “Faktikisht, kjo ishte një ide e fotografit tim Norik Uka, që ne të bënim një set fotografik me veshje tradicionale popullore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Duke qenë se tani vëmendja e mediave të huaja është shumë tek Eurovizioni dhe sigurisht edhe tek unë, menduam që t’ju tregonim botës një pjesë të kulturës sonë. Seti rezultoi shumë i suksesshëm. Është publikuar në të gjitha mediat, edhe në faqen zyrtare të Eurovizionit dhe qëllimin që kishim e arritëm. Veshjet kanë qenë të krahinave të ndryshme, edhe Veriu, Jugu dhe Kosova”.
Performancën e këngës “Karma” nga Anxhela Peristeri, do ta ndjekim në natën e dytë të gjysmëfinales, datë e cila është përcaktuar 19 Maji, ndërsa finalja e festivalit “Eurovision” do të mbahet më 22 maj në qytetin e Roterdamit, në Hollandë.