Berati vijon të jetë një destinacion i preferuar nga turistë shqiptarë e të huaj.
Historia dhe arkitektura e qytetit të bardhë, mbeten arsyet kryesore pse turistët vizitojnë Beratin në të gjitha stinët e vitit.
Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë publike sot disa të dhëna mbi sitet kryesore turistike në qytetin e “një mbi një dritareve”.
Sipas kryeministrit, “viti 2024 shënoi një rekord turistik në qytetin e Beratit”.
“Vetëm Kalaja është vizituar nga 500 mijë vizitorë, ku 85% e tyre ishin të huaj, ndjekur nga Muzeu ‘Onufri’, krenaria e Beratit dhe thesar i çmuar i gjithë Shqipërisë, i cili u vizitua nga 100 mijë vizitorë përgjatë vitit që shkoi”, shrkoi Rama.
Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica, Mangalemi që janë pasuri e UNESCO-s, Muzeu Ikonografik “Onufri”, Qendra Mesjetare, objektet e kultit bizantin dhe xhamitë e vjetra të periudhës otomane.
Turistët vlerësojnë jo vetëm historinë e kulturën, por edhe ushqimin e mikpritjen vendase.
Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e ekoturizmit, fshatrat turistike Roshnik, Sinjë, Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turet e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj.
/rtsh.al/