Donald Trump është betuar si presidenti i 47-të i SHBA-së, duke shënuar një rikthim politik.
"Epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani," tha Trump, duke shtuar se vendi do të "lulëzojë dhe respektohet" nën udhëheqjen e tij.
“Betohem solemnisht (ose pohoj) se do të drejtoj me besnikëri Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do të ruaj, mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara me të gjithë mundësitë e mia”, tha Trump në betimin e tij.
Betimi Presidencial është specifikuar në Nenin II, Seksioni 1 i Kushtetutës së SHBA. Betimi për zyrtarët e tjerë federalë, përfshirë zëvendëspresidentin, nuk është në Kushtetutë. Kongresi i krijoi ato betime me statut.
Fjalët “prandaj më ndihmo Zot” nuk figurojnë në betimin Kushtetues. Kjo frazë supozohet se u reklamua nga George Washington në inaugurimin e tij të parë, duke vendosur kështu një precedent për presidentin e ardhshëm. Megjithatë, nuk ka asnjë provë konkrete historike që Uashingtoni e bëri këtë.
Franklin Pierce dhe Herbert Hoover zgjodhën të "pohojnë" në vend që të "betohen" në betimet e tyre.
Vance betohet si zëvendëspresident i SHBA
JD Vance është tashmë zyrtarisht zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara.
Ai u betua i pari, ndërsa do të pasohet nga Donald Trump, i cili do të betohet si Presidenti i SHBA
Mbreti Charles i dërgon mesazh urimi Trump
Mbreti Charles i ka dërguar një mesazh urimi Donald Trump në ditën e inaugurimit të tij si President i SHBA. Në mesazhin e tij, Mbreti Charles e vuri te marrëdhëniet “e veçanta” mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA.
Ish presidentët amerikanë dhe zonjat e para hyjnë në Kapitol
Ish-presidentët dhe zonjat e para, përfshirë Bill Clinton dhe ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit Hillary Clinton si dhe George W. Bush dhe Laura Bush, kanë hyrë në Kapitol për inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump.
Ish presidenti Barak Obama është gjithashtu i pranishëm në ceremoni, por ish-zonja e parë Michelle Obama njoftoi javën e kaluar se nuk po merr pjesë në inagurim.
Trump arrin në Kapitol përpara betimit zyrtar si president
Donald Trump sapo ka mbërritur në Kapitol, ku do të zhvillohen procedurat kryesore të inaugurimit të sotëm.
Ai eci krah për krah me presidentin në largim, Joe Biden.
Tenori i operës Christopher Macchio performon "The Star-Spangled Banner"
“Është me përulësi dhe mirënjohje të thellë që kam pranuar ftesën e hirshme të Presidentit Donald J. Trump për të interpretuar himnin tonë kombëtar në inaugurimin e Presidentit tonë të 47-të”, tha tenori amerikan Christopher Macchio në një deklaratë të dhënë për Associated Press.
“Në hapjen dhe mbylljen e kësaj ceremonie madhështore me muzikë që feston kombin tonë, shpresoj të kontribuoj në rivendosjen e frymës së unitetit, forcës dhe dashurisë për atdheun, që do të ndihmojë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.”
Macchio performoi në Konventën Kombëtare Republikane në korrik, në mitingun e kthimit të Trump në Butler, Pensilvani, në tetor, pasi tubimi i parë i presidentit të zgjedhur atje u dëmtua nga një tentativë për vrasje dhe gjatë mitingut të tij në Madison Square Garden.
Të ftuarit fillojnë të mbërrijnë në Kapitolin e SHBA për inaugurim
Të ftuarit kanë filluar të mbërrijnë në Kapitolin e SHBA për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, i cili u zhvendos në ambiente të mbyllura për shkak të temperaturave të ftohta në Uashington.
Ndër të ftuarit që kanë mbërritur në Kapitol janë ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-zonja e parë Hillary Clinton; Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump që do të drejtojë Departamentin e ri të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE); CEO i Apple, Tim Cook; CEO i Meta Mark Zuckerberg dhe prezantuesi i podcast-it Joe Rogan.
Disa nga të zgjedhurit e kabinetit të Trump u panë gjithashtu duke mbërritur, duke përfshirë Doug Burgum - zgjedhja e presidentit të zgjedhur për të udhëhequr Departamentin e Brendshëm - dhe Marco Rubio, i cili mund të jetë sekretari i ardhshëm i shtetit.
Ish-udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell u pa gjithashtu pranë Capitol Rotunda, së bashku me gruan e tij Elaine Chao, e cila shërbeu si sekretare e transportit gjatë administratës së parë të Trump.
Senatori i Pensilvanisë, John Fetterman, u pa gjithashtu duke hyrë në Kapitol me xhup, pantallona të shkurtra dhe atlete. Fetterman ishte senatori i parë demokrat që u takua me Trump pas zgjedhjes së tij.
Drejtorët ekzekutivë kanë vende më të mira se anëtarët e kabinetit të Trump
Drejtorët ekzekutivë të Meta, X dhe Amazon, u ulën para të gjithë kabinetit të presidentit të zgjedhur – një shenjë për rëndësinë që Trump u ka dhënë krerëve të disa prej kompanive më të fuqishme dhe platformave të mediave sociale mbi drejtuesit e qeverisë së tij.
Çfarë do të bëjë Trump pas marrjes së detyrës?
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump sapo ka mbërritur në Kapitol. Pasi të ketë bërë betimin, ai ka planifikuar një sërë urdhrash ekzekutivë që të hyjnë në fuqi. Ja një vështrim se cilat janë disa prej tyre.
Migrimi :
- Trump po shpall një emergjencë kombëtare në kufi për të dërguar më shumë trupa dhe fuqi punëtore atje
- Ai po udhëzon zyrtarët të rifillojnë ndërtimin e murit kufitar SHBA-Meksikë
- Republikani dëshiron t'u heqë nënshtetësinë e të drejtës së lindjes fëmijëve të emigrantëve që ndodhen ilegalisht në SHBA
- Ai ka në plan të rikthejë të ashtuquajturën politikë "Qëndroni në Meksikë", e cila kërkon që migrantët të presin seancat dëgjimore të azilit në Meksikë.
Ekonomia:
- Trump planifikon të krijojë një emergjencë kombëtare të energjisë, e cila thotë se do të lejojë vendin të prodhojë më shumë burime natyrore dhe të krijojë vende pune
- Ai gjithashtu dëshiron “t’i japë fund mandatit të automjeteve elektrike " dhe përpjekjeve për të kufizuar zgjedhjen e konsumatorit, sipas administratës së tij
- Sipas Wall Street Journal, Trump planifikon të drejtojë qeverinë për të vlerësuar marrëdhëniet tregtare të SHBA me Kinën - por nuk ka ende në plan të vendosë tarifa të reja
Diversiteti dhe gjinia:
- Ai po planifikon një urdhër ekzekutiv që do t'i japë fund DEI [diversitetit, barazisë dhe përfshirjes] brenda qeverisë federale.
- Një urdhër tjetër ekzekutiv do të "përcaktonte se është një politikë e SHBA-së të njohë dy gjini - mashkull dhe femër" që nuk mund të ndryshohet.
Uashingtoni gati për inaugurimin, masa të forta sigurie
Gardhe metalike, pengesa prej betoni dhe pika kontrolli sigurie vazhdojnë të gjenden përgjatë trotuareve dhe rrugëve të kryeqytetit amerikan – që nga Kapitoli dhe në të gjitha e objektet e rëndësishme – ndërsa vendi përgatitet për betimin e presidentit të 47-të.
Megjithëse kjo pjesë e rrethuar prej 0.6 kilometrash katrorë është shpesh më tërheqësja për turistët që vizitojnë kryeqytetin, këtë radhë ajo nuk është më në epiqendër të vëmendjes së forcave të sigurisë gjatë kohës që Presidenti i zgjedhur do të bëjë betimin për herë të dytën.
Temperaturat shumë të ulëta të së hënës e shtynë presidentin e zgjedhur që të marrë vendimin për mbajtjen e ceremonive në mjedise të brendshme. Inaugurimi do të bëhet brenda godinës së Kapitolit dhe parada tradicionale do të mbahet tek pallati i sporteve dhe koncerteve “Capital One Arena”, që gjendet në afërsi.
Ndryshimi u njoftua të premten dhe i detyroi zyrtarët e sigurisë që të ndryshonin planet në minutën e fundit. Janë të shumta sfidat për rreth 25 mijë oficerët e organeve të zbatimit të ligjit dhe të ushtrisë që janë dislokuar në kryeqytet.
“Do t’i zhvendosim njësitë”, tha të dielën gjatë seancës së informimit Matt McCool, i Shërbimit Sekret amerikan.
“Nuk kemi shkurtuar asgjë nga plani fillestar”, tha ai. “Kam shumë besim, me partnerët tanë këtu, se do të jemi gati”.
Numri i vizitorëve në Uashington mund ta bëjnë situatën veçanërisht sfiduese. Organizatorët prisnin që të mbërrinin në Kapitol për të ndjekur inaugurimin rreth 250 mijë të ftuar që patën blerë bileta.
Tashmë vetëm një grup i përzgjedhur do të lejohen në ceremoninë në hollin e Kapitolit, ku mund të marrin pjesë vetëm rreth 600 persona. Dhe stadiumi “Capital One Arena” ka vetëm rreth 20 mijë vende.
Mund të krijohen vështirësi edhe nëse një pjesë e 250 mijë personave që planifikonin të ndiqnin inaugurimin, do të përpiqeshin të shkonin tek “Capital One Arena”.
Drejtuesja e Policisë Metropolitane të Uashingtonit, Pamela Smith tha të dielën se forcat e rendit janë përforcuar me rreth 4 mijë oficerë të ardhur nga i gjithë vendi.
“Nuk ka ndryshuar vërtet diçka”, u tha zonja Smith gazetarëve. “Do të përshtaten lëvizjet e oficerëve që janë angazhuar... Pra, sërish do të kemi oficerë të policisë në vendndodhjet në mbarë qytetin, siç ishte planifikuar”.
Disa nga oficerët, tha zonja Smith, do të jenë të vendosur përgjatë trajektores që ishte përcaktuar fillimisht për paradën, pasi njerëzit mund të përpiqen të jenë të pranishëm për ta parë autokolonën presidenciale kur të kalojë.
Policia e Kapitolit ka planifikuar të ketë oficerë të vendosur edhe në periferinë e kompleksit, megjithëse tashmë ceremonia është zhvendosur në mjedis të brendshëm.
I gjithë kontingjenti i forcave të sigurisë për inaugurimin, të përbëra nga oficerë të Shërbimit Sekret, FBI-së, policisë së Kapitolit dhe policisë metropolitane të Uashingtonit, do të drejtohen nga një qendër komande, me të cilën do të jenë të lidhura një rrjet i gjerë kamerash në mbarë kryeqytetin.
Megjithëse tashmë janë lehtësuar në disa zona një pjesë e masave të sigurisë që ishin vendosur fillimisht, zyrtarët thanë se do të vazhdojnë paralajmërimet për vizitorët se kjo nuk do të jetë një situatë e zakonshme në Uashington.
“Ata do të shohin njësi taktike”, tha zoti McCool gjatë një informimi për gazetarët. “Do të shohin oficerë dhe agjentë nëpër tarraca, do të shohin pika kontrolli. Do të shohin mbyllje të rrugëve dhe pengesa betoni”.
Edhe përpara se inaugurimi të zhvendosej në mjedise të brendshme, zyrtarët ishin përgatitur për atë që e përshkruajnë si “një mjedis i rrezikshmërisë së lartë”, duke paralajmëruar se planet e sigurisë për këtë inaugurim janë më të forta se në të kaluarën.
Shefi i policisë së Kapitolit, Tom Manger, tha se rreziku më i madh për të gjithë vazhdon të mbetet mundësia e një sulmi nga një person i vetëm. “Ky rrezik... vazhdon të jetë arsyeja më e madhe përse gjendemi në një gjendje të rritur gatishmërie”.
Këto shqetësime u shtuan pas sulmit terrorist në ditën e Vitit të Ri, me përdorimin e një makine për të goditur njerëzit në Nju Orleans dhe me shpërthimin në Las Vegas të një tjetër makine, përpara Hotelit Ndërkombëtar Trump.
Më herët këtë muaj, policia e Kapitolit arrestoi dy persona që dyshohet se po përpiqeshin të ndërprisnin ceremoninë funebre për ish-Presidentin Jimmy Carter. Njëri prej tyre u përpoq të fuste në Kapitol thika dhe një hanxhar, ndërsa tjetri i vuri flakën makinës.
Shqetësimet u konfirmuan nga një studim rishtazi i Projektit për Sigurinë dhe Kërcënimet, i Universitetit të Çikagos.
“Mbi 5% e amerikanëve mbështesin përdorimin e forcës për të parandaluar bërjen president të Donald Trump-it”, i tha Zërit të Amerikës drejtuesi i projektit, Robert Pape.
“Janë pra rreth 14 milionë amerikanë”, tha ai. “Kjo është fatkeqësisht një shifër shqetësuese”.
Ndaj Presidentit të zgjedhur Trump ka patur tashmë dy atentate.
Vazhdon gjithashtu rreziku nga Irani. Megjithëse mohimet e vazhdueshme nga zyrtarët iranianë, zyrtarët amerikanë të sigurisë kanë akuzuar Teheranin se është përpjekur të vrasë Presidentin e zgjedhur Trump. Një plan i tillë u bë i ditur se do ishte vënë në jetë në ditët pas zgjedhjeve amerikane.
Për momentin, megjithatë, zyrtarët amerikanë nuk shohin shenja problemesh të pritshme.
“FBI-ja nuk po gjurmon aktualisht ndonjë kërcënim të besueshëm ose specifik ndaj ceremonisë inauguruese ose kompleksit të Kapitolit”, i tha Zërit të Amerikës dega e FBI-së në Uashington. "Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë për të ndarë informacionin dhe për të identifikuar dhe për të ndalur çdo kërcënim që mund të shfaqet".
Një tjetër burim shqetësimi janë dhjetëra mijëra protestues të mundshëm, megjithëse deri më tani nuk ka patur incidente të mëdha.
“Marshimi Popullor” i së shtunës, i cili u lejua të kishte deri në 50 mijë protestues, shkaktoi vetëm tensione të shkurtra me mbështetësit e Presidentit të zgjedhur Trump.
Një grup tjetër, i quajtur “Ne luftojmë” (“We Fight Back”), ka marrë leje për protesta të hënën që përfshijnë rreth 10 mijë persona në disa vende.
"Ju lutemi, vini re se do të sigurojmë të drejtën tuaj për të protestuar dhe për t’u mbledhur në mënyrë paqësore", tha zonja Smith e Departamentit të Policisë Metropolitane.
“Megjithatë, dua të ritheksoj, siç kam bërë gjithmonë, se dhuna, shkatërrimi dhe sjellja e paligjshme nuk do të tolerohen”, tha ajo. “Shkelësit do të përballen me pasoja të shpejta dhe vendimtare… ne do të jemi të përgatitur të përballemi me këdo që mendon se mund të hyjë në këtë qytet për të shkatërruar pronën”.
Biden pret Trump në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden, mirëpritën Presidentin e zgjedhur, Donald Trump dhe Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë, pas një shërbimi në Kishën Episkopale të Shën Gjonit.
Zakonisht, pas shërbimit të mëngjesit, presidenti i zgjedhur, zëvendëspresidenti i zgjedhur dhe bashkëshortët e tyre vizitojnë Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti i zgjedhur dhe presidenti në largim mbajnë një takim të shkurtër privat.
Këtë vit, Biden dhe Trump, së bashku me bashkëshortet e tyre, pritet të pinë çaj së bashku në Shtëpinë e Bardhë. Tradicionalisht, presidenti në largim shoqëron më pas presidentin e zgjedhur në Kapitolin e SHBA për ceremoninë e betimit.
Trump e shpërfilli Bidenin në vitin 2021 dhe nuk vazhdoi traditën e ftesës së presidentit të zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë. Kjo traditë filloi në 1837 me Martin Van Buren dhe Andrew Jackson.
Ndërsa zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe zotëri i dytë Doug Emhoff mirëpritën Zëvendëspresidentin e zgjedhur JD Vance dhe gruan e tij Usha Vance në Shtëpinë e Bardhë pas një shërbimi në Kishën Episkopale të Shën Gjonit.
Donald Trump pritet të nënshkruajë një breshëri urdhrash ekzekutivë sapo të bëjë betimin si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Sipas burimeve, Trump pritet të nënshkruajë 10 veprime ekzekutive në lidhje me një nga prioritetet e tij më të mëdha: emigracionin, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë. Trump dhe ekipi i tij kanë hartuar gjithashtu një listë faljesh për njerëzit e dënuar për rolin e tyre në sulmin e Kapitolit të 6 janarit që do të lëshohet në ditën e parë, menjëherë pasi Trump të betohet si president, i thanë CNN dy burime të njohura me planet.
Ndërkohë, Presidenti Joe Biden lëshoi falje paraprake, këtë mëngjes, për gjeneralin Mark Milley, Dr. Anthony Fauci dhe anëtarët e Kongresit që shërbyen në komitetin që hetonte sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol – duke përdorur si mburojë prerogativën e jashtëzakonshme ekzekutive kundër hakmarrjes nga pasardhësi i tij i ardhshëm, Trump.
Biden konfirmon se i ka lënë një letër Trumpit
Presidenti Joe Biden konfirmoi të hënën se kishte lënë një letër në Zyrën Ovale për paraardhësin dhe pasardhësin e tij, Presidentin e zgjedhur Donald Trump.
I pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë nëse ai kishte shkruar një letër, Biden tha, "Po", megjithëse ai nuk pranoi të jepte më shumë detaje.
"Kjo është mes meje dhe Trump," tha ai, sipas raporteve të grupit.
Trump la një letër në vitin 2021 që Biden e përshkroi më vonë si "shumë bujar".
Senatori i GOP vë në dyshim "autoritetin ligjor" të Trump për të vonuar ndalimin e TikTok
Senatorët republikanë që mbështetën ligjin që ndalon TikTok shprehën të hënën shqetësim për pronësinë e vazhdueshme kineze të kompanisë pasi presidenti i zgjedhur, Donald Trump pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të vonuar zbatimin e ligjit.
Senatori i Dakotës së Veriut, Kevin Cramer vuri në dyshim ligjshmërinë e urdhrit ekzekutiv të pritshëm, duke thënë: “Nuk jam i sigurt se cili është autoriteti ligjor për një president për të nxjerrë një urdhër ekzekutiv deri në një ligj që sapo u miratua dhe u mbështet nga Gjykata e Lartë e Shtetet e Bashkuara.”?
Ai shpjegoi: "Unë kam qenë i shqetësuar për qasjen e duhur ndaj ndarjes së pushteteve nga të gjithë presidentët."
Ai i tha CNN se është “gjithçka për të” nëse TikTok mund të heqë dorë nga pronësia kineze, por “nëse Kina ka diçka për të thënë në lidhje me të, atëherë unë jam kundër saj”.
Cramer tha se nuk ishte i shqetësuar për implikimet e sigurisë kombëtare të vonesës së ndalimit, duke thënë se nëse vonesa rezulton në gjetjen e një blerësi amerikan për TikTok, atëherë ky është "skenari më i mirë" dhe "do të isha rehat me këtë".
"Jam i shqetësuar për shqetësimet e sigurisë kombëtare në lidhje me pronësinë kineze të TikTok, ose përndryshe nuk do të kisha votuar për ta eliminuar atë, por mendoj se 60 deri në 90 ditë të tjera ndoshta nuk do të krijojnë Luftën e Tretë Botërore," tha ai.
Senatori i Oklahomas, Markwayne Mullin, i cili gjithashtu mbështeti ndalimin, shprehu besimin në aftësinë e Trump për të ndërmjetësuar një marrëveshje për të hequr dorë nga TikTok gjatë periudhës së vonesës.
“Ai shkroi librin mbi artin e marrëveshjes, apo jo? Ai e kupton që CCP i ka gishtat të gjithë brenda aparatit TikTok. Por ai gjithashtu e kupton se ka një sasi të madhe motorësh ekonomikë që dalin nga TikTok," tha ai.
“Ekziston një pikë e sigurisë kombëtare që ne duhet të bëjmë, por ai po sigurohet që të ketë kohë për të shkuar dhe për të zgjidhur dallimet,” vazhdoi ai.
Mullin tha se Biden "nuk u angazhua kurrë në këtë bisedë", por Trump "po përpiqet të jetë një lider duke u angazhuar, duke u siguruar që ai të qëndrojë i lirë nga fjalimi për të rinjtë që duan ta përdorin atë në të njëjtën kohë duke e nxjerrë Partinë Komuniste nga të rinjtë ndikues.”
Mullin tha se nuk ishte i sigurt nëse Trump do të nënshkruante urdhrin ekzekutiv të TikTok përpara se të largohej nga Kapitoli, megjithëse ai pritet të avancojë disa pjesë të agjendës së tij ndërsa është atje.
Joe Biden bën faljet e fundit për të parandaluar “hakmarrjen” nga pasardhësi i tij
Disa orë para përfundimit të mandatit të tij, Presidenti Joe Biden fali Dr. Anthony Faucin, gjeneralin në pension Mark Milley dhe anëtarët e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit në Kapitol, duke përdorur fuqitë e jashtëzakonshme të postit për t'i mbrojtur ata nga "hakmarrja e mundshme" e administratës së ardhshme të Donald Trumpit.
Vendimi i Biden vjen pasi Donald Trumpi paralajmëroi për një listë armiqsh me emra të atyre që e kanë sfiduar politikisht, ose kanë ndërmarrë hapa për ta mbajtur përgjegjës për përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit të SHBA më 6 janar, 2021.
“Shpallja e këtyre faljeve nuk duhet të shihet si një pohim se këta individë kanë kryer ndonjë shkelje, dhe as nuk duhet të keqinterpretohet si pranim fajësie për ndonjë vepër penale”, tha Biden në një deklaratë.
“Vendi ynë u detyrohet këtyre nëpunësve publikë një borxh mirënjohjeje për angazhimin e tyre të palodhur ndaj vendit tonë”, tha ai.
Faljet, të shpallura ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë në presidencën e zotit Biden, kanë qenë temë e një debati të nxehtë prej muajsh në nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë.
Është e zakonshme që një president të lëshojë falje në fund të mandatit të tij, por amistia zakonisht u ofrohet amerikanëve që janë dënuar për krime. Biden po e përdor këtë kompetencë në mënyrën më të gjerë dhe më të paprovuar të mundshme: për të falur ata që nuk janë hetuar ende. Vendimi hedh bazat për një përdorim edhe më të gjerë të faljeve nga zoti Trump dhe presidentët e ardhshëm.
Ndërsa Gjykata e Lartë vendosi vitin e kaluar se presidenti gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale për ato që mund të konsiderohen akte zyrtare, këshilltarët dhe aleatët e presidentit nuk gëzojnë një mbrojtje të tillë.
Ekziston frika se Trump ose presidentët e ardhshëm mund të përdorin premtimin për një falje të plotë për të inkurajuar aleatët që të ndërmarrin veprime të cilave mund t'u rezistonin nga frika e pasojave nëse shkelnin ligjin.
"Këto janë rrethana të jashtëzakonshme dhe nuk më lejon ndërgjegjia të mos veproj," tha Biden, duke shtuar se "Edhe kur individët nuk kanë bërë asgjë të gabuar - dhe madje kanë bërë gjënë e duhur - dhe në fund e vërteta do të dalë, thjesht fakti i të qenit nën hetim ose ndjekja penale mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme reputacionin dhe financat e dikujt.”
Dr. Fauci ishte drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit për gati 40 vjet, përfshirë gjatë mandatit të Trump dhe më vonë shërbeu si këshilltar kryesor i Biden për shëndetësinë deri kur doli në pension në 2022.
Ai ndihmoi në koordinimin e përgjigjes së vendit ndaj pandemisë COVID-19 dhe nxiti zemërimin e Trump kur kundërshtoi këshillat e paprovuara shkencërisht të shëndetit publik të Trump.
Fauci që atëherë është vënë në shënjestër të urrejtjes nga njerëzit e së djathtës, të cilët e fajësojnë atë për urdhrat për përdorimin e maskave dhe politika të tjera që ata besojnë se shkelnin të drejtat e tyre, edhe pse qindra mijëra njerëz po vdisnin.
Mark Milley është ish-kryetari i Shtatmadhorisë së ushtrisë. Ai më pas e quajti Trump fashist dhe detajoi qëndrimet e Trump, lidhur me ngjarjet e 6 janarit 2021.
Ai tha se është mirënjohës ndaj Bidenit për faljen, pasi nuk i duhet të shqetësohet më për "hakmarrjen". Biden fali gjithashtu anëtarët dhe këshilltarët e komisionit të 6 janarit që hetoi sulmin, si dhe oficerët e policisë së Kapitolit dhe të kryeqytetit Uashington që dëshmuan para komisionit për përvojat e tyre atë ditë, kur një turmë e zemëruar dhe e dhunshme e mbështetësve të Trump sulmoi Kapitolin.
Biden, një institucionalist, ka premtuar një tranzicion të qetë drejt administratës së ardhshme, duke ftuar Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë ai paralajmëroi gjatë fjalimit të tij lamtumirës për një oligarki në rritje. Ai ka paralajmëruar prej vitesh se kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një kërcënim për demokracinë. Vendimi i tij për të thyer normat politike me faljet paravepruese u mor për shkak të këtyre shqetësimeve.
Biden ka vendosur rekordin presidencial për numrin më të madh të faljeve, përfshirë faljen e djalit të tij, Hunter.
Ai njoftoi të premten se do të zbusë dënimet e pothuajse 2,500 personave të dënuar për vepra jo të dhunshme të lidhura me drogën. Ai më parë njoftoi se po ua lehtësonte dënimet 37 nga 40 personave të dënuar me vdekje e, duke i kthyer dënimet e tyre në burgim të përjetshëm vetëm disa javë përpara se zoti Trump, një përkrahës i hapur i zgjerimit të dënimit me vdekje, të merrte detyrën.
Gerald Ford i dha një "falje të plotë dhe absolute" në vitin 1974 paraardhësit të tij, Richard Nixon, për skandalin Watergate.
Ai besonte se një gjyq i mundshëm do të “shkaktonte debat të zgjatur dhe përçarje” dhe se zoti Nixon e kishte paguar “me dënimin e paprecedentë të heqjes dorë nga posti më i lartë i Shteteve të Bashkuara”, siç shkruhet në shpalljen e faljes.
/rtsh.al/