Kreu i Shtetit, Bajram Begaj ka uruar Donald Trump, i cili u betua sot (20 janar) si Presidenti i 47-të i SHBA. Përmes një postimi në X, Begaj e cilëson SHBA si dëshmi të vlerave të demokracisë, teksa vlerëson marrëdhëniet mes dy vendeve.
Begaj thotë se Shqipëria mbetet e përkushtuar për ta forcuar edhe më tej partneritetin me SHBA.
“Urimet më të përzemërta në ditën tuaj të inagurimit si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. SHBA mbetet dëshmi e patjetërsueshme e vlerave të demokracisë dhe burim paqeje dhe sigurie. Shqipëria është krenare për aleancën dhe miqësinë e saj të fortë me SHBA-në dhe mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej partneritetin tonë”, shkruan Begaj.
Donald Trump u betua si presidenti i 47-të i SHBA, teksa ceremonia u zhvillua në Kapitol. Në fjalën e tij pas betimit, Trump tha se SHBA “do të lulëzojë” nën drejtimin e tij. Trump pritet të lëshojë së shpejti një seri veprimesh ekzekutive, duke përfshirë shpalljen e një emergjence kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë, daljen e SHBA-së nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe dyfishimin e nismave për karburantet fosile.
/rtsh.al/